Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar të martën në darkë një takim me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe anëtarët e grupit të Task-Forcës, zv.ministrja Mira Rakacolli dhe drejtori i Urgjencave, Skënder Brataj.
Meta me anë të një postimi në Facebook shprehet se në këtë takim që u zhvillua në Presidencë, ishte jo vetëm për t’u shprehur solidaritetin dhe përkrahjen e tij, por edhe për të ngritur disa shqetësime me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të reagimit institucional.

“Theksova domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, veçanërisht me qytetarët, si dhe përfshirjen e kapaciteteve njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, duke e konsideruar këtë hap si vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore. U interesova për gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarëve të prekur nga coronavirusi, dhe shpreha falenderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës që është duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal”, shprehet presidenti.
Kreu i shtetit bën të ditur se ka nënvizuar rëndësinë e marrjes së plotë të masave mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe përshëndeta mbështetjen financiare shtesë të miratuar nga qeveria për ta.
“Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë kryesor, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim i menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore, dhe për çdo shqetësim t’i drejtohen numrin 127 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë”, deklaron kreu i shtetit.
Presidenti Ilir Meta ka bërë të ditur se nuk do ta mblidhte këshillin e Sigurisë për çështjen e Koronavirusit, por në të njëjtën kohë ngriti një Task-Forcë tjetër paraelele, duke lënë si përfaqësues të kësaj strukure presidenciale, këshilltarin për Sigurinë, Bahri Shaqirin, si pikë kontakti për qytetarët që mund të kenë shqetësime për masat e marra nga ana e qeverisë. Ndërsa pikërisht kjo strukturë u kritikua nga Rama, i cili në mbledhjen e qeverisë kërkoi që të bashkojnë forcat në atë që e cilësoi si një luftë në betejën për mposhtjen e Covid 19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje