Atalanta është kualifikuar për në çerekfinale të Champions League për herë të parë në historinë e saj, pas fitores 3-4 në Spanjë. Një kualifikim plotësisht i merituar, me 8 gola në 2 ndeshje ndaj Valencias, skuadër me shumë përvojë në këtë kompeticion. Pas “pokerit” në “San Siro” në ndeshjen e parë, skuadra e mbrojtësit të Kombëtares, Berat Gjimshiti, ka shënuar edhe 4 gola të tjerë në “Mestalla”, në një mbrëmje magjike me protagonist absolut sllovenin Josip Iliçiç, autor i të 4 golave.
Një minutë e 20 sekonda i mjaftuan Atalantës për të përshëndetur rrjetën e Valencias në stadiumin e boshatisur, duke ia bërë të pamundur kundërshtarit misionin e kualifikimit. Të besuarit e trajnerit Gasperini kanë ushtruar presion dhe kanë dhënë spektakël. Valencia arrin të barazojë, por Iliçiç shënon sërish me një tjetër penallti. Përmbysin spanjollët në 3-2, por vetëm përkohësisht, sepse sulmuesi slloven, më i miri i ndeshjes, shënon edhe dy herë të tjera, duke fiksuar rezultatin përfundimtar në 3-4. Një fitore e madhe, që Atalanta ia ka dedikuar Bergamos, qytetit që po vuan shumë situatën e emergjencës me koronavirusin. “Bergamo, është për ty, mos u dorëzo kurrë!”, – ishte mesazhi i lojtarëve të Atalantës.

Berat Gjimshiti, 90 minuta në fushë, ishte ndër më të mirët për Atalantën dhe më i miri i mbrojtjes. “Sportmediaset” e ka vlerësuar me notën 7 mbrojtësin kuqezi për paraqitjen e bërë në këtë ndeshje. “Një lojtar që nuk i bëhet shumë publicitet, por ekstremisht efikas. Ndoshta nuk duket shumë kur është në fushë, por kuptohet me shumë lehtësi kur nuk është. Gjithmonë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm, duke mbyllur çdo hapësirë në prapavijën e Atalantës”. Ky është vlerësimi për Gjimshitin, që vazhdon aventurën në Champions me Atalantën, ku tashmë është një pikë kyçe e formacionit të Gaasperinit.
Në çerekfinale ka kaluar edhe Lajpcigu, që mundi 3-0 Totenhemin e Mourinjos. Gjermanët i fituar të dyja ndeshjet, duke e merituar plotësisht këtë sukses historik edhe për ta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje