Liderët e BE-së kanë mbajtur një telekonferencë të përbashkët nëpërmjet Skype, për të shmangur takimet kokë me kokë nga frika e virusit, ndërkohë që numri i të prekurve në Europë rritet dita-ditës. Ata vendosën të ndajnë të paktën 25 miliardë euro për të adresuar rënien ekonomike nga koronavirusi dhe të koordinohen për të ndaluar përhapjen e COVID-19.
Por edhe pse shumica e liderëve u munduan të shfaqeshin optimist pas bisedimeve, sinjalet nga Brukseli nuk kanë qënë aspak pozitive.
Pas telekonferencës me udhëheqësit e BE, kryeministri bullgar, Boyko Borisov tha dy herë se një nga përfundimet e bisedimeve ishte se 70% e popullsisë së Europës mund të infektohej nga virusi.
Duke folur para kamerave në Këshillin e Ministrave të Bullgarisë të martën, Borissov tha se “Institutet më të rëndësishme në Europë dhe kolegët e mi, presin që 70% e popullsisë së Europës të preket nga ky virus.”

Në një postim të veçantë në Facebook, ai konfirmoi sërish lajmin, duke ngjallur jo pak panik mes qytetarëve.
“Sot, në video-konferencën me kolegët e mi të Këshillit Europian, u cituan analiza të specializuara që thanë se koronavirusi do të prekte më shumë se 70% të popullsisë së Europës”, shkruan kreu i qeverisë bullgare.
“Si rezultat, vendet anëtare do të marrin masa bazuar në këshillat mjekësore të OBSH-së në mënyrë që të zbusin pasojat për shoqëritë tona në tërësi”, shtoi ai.
Më shumë se 15,000 raste u raportuan në BE, Britani të Madhe dhe Zonën Ekonomike Europiane (EEA), dy të tretat e tyre në Itali, ku 631 njerëz humbën jetën pasi u diagnostikuan me koronavirus.
Presidentja i Komisionit Europian Ursula von der Leyen foli të martën me kryeministrin italian Giuseppe Conte dhe tha se BE do të diskutojë masat për të mbështetur vendin fqinj në ditët e ardhshme.

Me përhapjen e virusit që është duke shkaktuar një ngadalësim në ekonominë globale, qeveritë kombëtare dhe institucionet e BE dhanë një mesazh uniteti, duke premtuar në radhë të parë mbështetje për Italinë dhe vendet e prekura.
“Ne jemi të gatshëm të përdorim të gjitha instrumentet që janë të nevojshëm” tha ajo. “Në veçanti, BE-ja do të shpërndajë maska dhe dezinfektantë për të mbështetur plotësisht bluzat e bardha.
Cilat janë vendet më të prekura në Europë?
Përhapja e Covid-19 po rritet në të gjithë Europën, ndërkohë që vendet anëtare kanë rritur ndjeshëm numrin e testimeve.
- Italia – e cila ka numrin më të madh të të infektuarve jashtë Kinës, ka më shumë se 10,000 të prekur dhe 631 të vdekur.
- Franca ka raportuar 1,784 raste dhe 33 viktima
- Spanja ka 1.689 raste dhe 36 të vdekur
- Gjermania ka 1.200 raste dhe në dy të vdekur
- Zvicra ka 476 raste dhe tre viktima
- Mbretëria e Bashkuar ka 382 pacientë dhe gjashtë viktima
- Holanda ka 382 raste dhe katër viktima
- Të mërkurën, Belgjika, i cili ka 267 të infektuar raportoi vdekjen e saj të parë të lidhur me Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje