Prej kësaj të mërkure, ushtria i është bashkuar Policisë së Shtetit si ndihmë në misionin për të ndjekur në terren zbatimin e masave kufizuese të vendosura nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Sot del në rrugë një formacion i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake që do të organizojnë postblloqe për kontrolle të automjeteve dhe do të ndalojnë dhe verifikojnë nëse në automjet ka të ardhur nga Italia dhe Greqia në 14 ditët e fundit, të cilët ndalohen të dalin nga shtëpia për 14 ditë nga ardhja e tyre”, deklaroi Rama,.
Për të gjithë shkelësit e këtij urdhri, Kryeministri njoftoi penalitetin.
“Kush prej tyre do të kapet në rrugë, do të dënohet me 5 mijë euro gjobë dhe do të ndalohet të largohet nesër pas ikjes së epidemisë nëse nuk do të ketë paguar gjobën”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga të gjithë qytetarët disiplinë, përgjegjshmëri dhe vetëngujim për të përballuar përhapjen e koronavirusit në vend.
“Korona sprapset vetëm më disiplinë dhe përgjegjshmëri. Të gjithë ata që nuk duhet të dalin për nevoja të domosdoshme të mos dalin nga shtëpia. Zbatoni këshillat e autoriteteve shëndetësore, sa më të disiplinuar të jemi sot, sa më shumë të shtrëngohemi sot me këto masa, aq më pak telashe do të kemi nesër. Të vetërrethohemi për disa javë me muret e izolimit nga kontaktet e përditshmërisë tonë”, vijoi mesazhin e tij kreu i Qeverisë.
Qeveria thotë se 80 për qind të punëve i kryen përmes rrugëve digjitale, duke shmangur praninë e zyrtarëve në punë. Në këtë video-mesazh, Kryeministri Edi Rama thotë se godina e Kryeministrisë ngjason për nga qarkullimi i personave si për ditë të diel.
“Gjendje e çuditshme, por e detyrueshme për t’u mbrojtur nga korona dhe për të mos u kthyer në transportues dhe transferues të një halli të madh në trupin e të afërmev dhe ruajne Zot edhe i vdekjes së ayre që na afrohen”, thotë Rama.
Rama iu referua metaforave dhe krahasimeve letrare për të shpjeguar se situata është serioze.
“Me koronën e mësova me pahir, qysh kur u shfaq në kinë, që është njësoj si me humnerën, ku coptohesh po u hodhe vendosmërisht, apo me zjarrin ku digjesh po u fute trimërisht”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i Qeverisë kërkoi që të mos merret as me gallatë dhe as me shaka situata.
“Luan me zjarrin faktikisht dhe rrezikon që të bjerë në humnerë, apo akoma më keq që të hedhë në humnerë të afërmit e vet”, u shpreh ai.
Pak pas këtij video-mesazhi, Kryeministri Edi Rama u shfaq i pakënaqur me zbatimin e këshillave për distancë dhe kujdes dhe urdhëroi mbylljen e të gjitha restoranteve, bareve, klubeve, në Tiranë dhe Durrës, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Kreu i qeverisë thotë se ky vendim është marrë “duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend”.
“NDJESË por duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, detyrohemi TË MBYLLIM TË GJITHA RESTORANTET, BARET, KLUBET, në TIRANË dhe DURRËS fillimisht!”, shkruan kryeministri Rama.
Duke paralajmëruar se lokalet mund të mbyllen dhe në qytete të tjera, Rama thotë se kjo nuk është kohë pushimesh dhe argëtimesh, por kohë lufte.
“KJO NUK ËSHTË KOHË PUSHIMESH dhe ARGËTIMESH JASHTË SHTËPISË, po KOHË LUFTE Dhe KJO LUFTË FITOHET VETËM DUKE KUFIZUAR LIRINË TËNDE, DUKE NDRYSHUAR RRËNJËSISHT MËNYRËN E JETESËS dhe DUKE RUAJTUR FAMILJEN TËNDE nga kontaktet e tua me jashtë! FRIKË ASPAK, KUJDES PO! MADJE SHUMË FARE!”, përfundon Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje