Numri i viktimave në Itali ka mbërritur sot në mbi 1000, ndërkohë jëta në vendin fqinj duket se “ka ndaluar”.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio ka thënë se shpreson që vendi i tij të jetë i pari në Evropë që do të lërë pas koronavirusin. Më shumë se 15,000 raste janë konfirmuar deri më tani në të gjithë Italinë.
Luigi Di Maio tha në një intervistë për BBC-në masat e vendosura në zonën e shpërthimit në Veneto dhe Lombardi ishin duke rezultuar efektive.
Duke folur dy javë pasi 10 qytetet e para në veri të Italisë u shpallën zonë e kuqe dhe u futën në karantinë, Di Maio tha se prisnin që mos të kishin infeksione të reja.
Por numri i të prekurve është rritur me 2,249 gjatë 24 orëve të kaluara.
“Italia ishte kombi i parë në Europë që u prek kaq keq,” tha ai. “Por unë gjithashtu shpresoj se Italia është e para që do të lërë pas këtë pandemi.”
Tani të gjitha dyqanet janë të mbyllura, përveç farmacive dhe rezervave ushqimore; kompanitë janë urdhëruar të mbyllin departamentet jo thelbësore dhe një gamë e gjerë biznesesh, nga teatrot e deri te shkollat dhe parukeritë apo muzetë janë të mbyllura.
“Gjyshërit tanë ishin të përgatituer për të shkuar në luftë; ne na kërkohet të qëndrojmë në shtëpi,” tha z. Di Maio.
“Nëse një mjek dhe një infermiere mund të punojnë pa ndalur për 24 orë, edhe ne mund të heqim dorë nga liria jonë. Shumica e qytetarëve i respektojnë rregullat. Ata që nuk e bëjnë do të përballen me gjoba ose kallëzime penale”, deklaroi ai.

Autoritetet italiane thonë se mund të duhen dy javë që ndikimi i kufizimeve të shihet në shpërthimin e koronavirusit, i cili ende po rritet në qytete dhe qytete jashtë zonës fillestare të kuqe. Evidentimi i kaq shumë rasteve të reja e ka vënë sistemin e kujdesit shëndetësor në Itali, një nga më të mirët në Europë, në presion të jashtëzakonshëm.
Qeveria ka emëruar një ministër të ri për t’u marrë me virusin, Domenico Arcuri. Ai do të bashkërendojë programin për të furnizuar përsëri spitalet me pajisjet e nevojshme në mënyrë sa më urgjente.
Di Maio ofroi të ndante eksperiencën e Italisë me çdo vend tjetër që kishte nevojë. Ndërkohë që shpërthimi në Kinë filloi të lehtësohet, qeveria e Pekinit po dërgon në Itali ekipe të mjekëve specialistë dhe furnizime mjekësore.
“Ne kemi nevojë për njësi oksigjeni dhe kemi filluar prodhimin me fabrika që i prodhojnë ato ose në fabrika të tjera që mund të përshtaten me prodhimin e tyre,” tha z. Di Maio. “Ne jemi në kontakt me vendet në mbarë botën, shumë prej të cilëve janë të gatshëm të na furnizojnë me pajisje.”
Por, sipas tij, blerja e furnizimeve mjekësore duhet të organizohet në një nivel pan-Europian. Vendet në të gjithë botën kanë ndaluar fluturimet për në Itali ose kanë ndaluar hyrjen në italianë ose këdo që udhëtonte nga Italia. Austria dhe Sllovenia po vendosin kufizime në kufijtë e tyre me Italinë.
Shtetasit italianë që jetojnë në vendet e tjera të BE-së kanë raportuar gjithashtu akte armiqësie ndaj tyre, të cilësuara nga Ministri i Jashtëm si “diskriminim i papranueshëm”.
Një pjesë e vogël e politikanëve këtu janë infektuar nga virusi ose po planifikojnë izolimin, përfshirë edhe kryetarin e Partisë Demokratike, pjesë e koalicionit qeverisës.
Di Maio tha që ai ishte testuar për koronavirus dhe ishte negativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje