Betohen tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda u betuan përpara presidentit Ilir Meta në një ceremoni solemne. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve të Presidentit Meta, gjyqtarët e lartë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë u betuan para Kreut të Shtetit se: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”
Presidenti Meta u uroi suksese dhe punë të mbarë anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, Zv/Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z.Maks Qoku si dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.
Pas propozimit të KLGJ-së, kreu i shtetit sipas afatit 10 ditor dekretoi menjëherë tre kandidatët e propozuar, duke mos zgjatur plotësimin e Gjykatës së Lartë, e cila ka mbetur vetëm me një anëtar Ardian Dvoranin, të cilit i ka përfunduar mandati, por që qëndron akoma në detyrë.
Plotësimi dhe dekretimi në kohë i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë është përshendetur nga ana e ambsadorëve të SHBA-së dhe BE-së, Yuri Kim dhe Luigi Soreca, që në këtë mënyrë bëhet funksionale.
“Ne mirëpresim emërimin nga Presidenti i 3 anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë – një hap i rëndësishëm dhe pozitiv që duhet të vazhdojë deri në fund. Tani, ne duhet të mbështesim gjyqtarët në mënyrë që ata të mund të shërbejnë drejtësi për të gjithë njerëzit e Shqipërisë”, reagoi ambasadorja amerikane pas dekretimit të tre anëtarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)











Lini një Përgjigje