Futboll

E ardhmja e Hysajt, agjenti i shkodranit i mbyll derën Napolit

Edhe pse e gjithë vëmendja është e përqendruar te situata e krijuar kudo në botë nga Koronavirusi, puna vazhdon në heshtje sa i takon merkatos verore. Elseid Hysaj, kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, prej kohësh është një nga emrat më të lakuar në merkato dhe e ardhmja e tij duket se është larg Napolit.

Për të disatën herë ka folur për të ardhmen e mbrojtësit shkodran agjenti i tij, Mario Xhufredi. Për “Radio Punto Nuovo”, ai ka thënë: “Hysaj është një lojtar që për tre vjet me radhë ka qenë më i miri në Serinë A në këtë periudhë të kampionatit dhe kompeticioneve të tjera. Ka luajtur edhe me Gatuzon dhe ka treguar se është lojtar i një niveli të lartë. Megjithatë, është e pamundur që të qëndrojë te Napoli. Nuk dua të jem i pasjellshëm me drejtuesit e Napolit, por mendoj se ka ardhur momentin që rrugët të ndahen dhe Hysaj të luajë diku tjetër”.

Elseid Hysaj, kapiteni i Kombëtares. Gazeta Si, 14 mars 2020

Agjenti Xhufredi nuk jep detaje sa i takon stacionit të ardhshëm të Hysajt, por në Itali skuadra më e interesuar mbetet Roma, që e kërkoi futbollistin shqiptar që në merkaton e janarit. Më parë, si destinacione të mundshme të Hysajt janë përmendur Juventusi, më tepër për faktin që drejtimin e këtij ekipi e ka marrë ish-trajneri i shkodranit, Mauricio Sarri, por edhe Çelsi e Totenhemi në Angli, si dhe Atletiko Madrid në Spanjë. Kohët e fundit Hysaj ka pasur një aktivizim më të rregullt me Gatuzon dhe ka treguar një formë të mirë, por sërish agjenti i tij këmbëngul për ta çuar mbrojtësin e djathtë në një skuadër tjetër, ndoshta jashtë Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë