Futboll

Historitë e bukura që Covid-19 po i çon drejt fundit të trishtë, mes tyre dhe Tirana

Pas disa tentativash të dëshpëruara për të vazhduar kampionatin, me lojtarë në tunel, gati për të zbritur në fushë, me nxemje të bëra disa herë, u vendos që topi të ndalojë për disa javë. U desh pak kohë në fakt për të zgjidhur këtë paradoks, ku populli me maskë vazhdonte të shihte futbollistët të përqafoheshin dhe të kishin kontakte të çdo tipi.

Nuk ishte e lehtë të pranohej ideja që futbolli si pasion sportiv dhe një industri e madhe të ndalonte, pavarësisht emergjencës nga COVID-19, që është përhapur tashmë në gjithë dimensionet e tij. Por nuk mund të detyroheshin futbollistët të dilnin në fushë në këtë situatë për të dhënë spektakël për miliona persona që janë mbyllur në shtëpi. Edhe vetë futbollistët kanë rezultuar pozitivë dhe është evidente se në çfarë pike kemi arritur. Futbollin e ka ndalur vetëm lufta. Kjo nuk është luftë, por është një pandemi dhe pyetja që shtrohet në këtë moment është: çfarë do të ndodhë me kompeticionet aktuale?

Rreziku është i madh që kampionatet të mos përfundojnë në kohë, aq më tepër nëse javët e ardhshme, – shpresojmë që jo – në vende si Anglia, Gjermania dhe Spanja, kurba e të infektuarve mund të rritet, siç ka ndodhur në Itali. Në këtë skenar të mjegullt është e vështirë të bësh parashikime, por ajo që tërheq vëmendjen ka të bëjë me faktin se disa skuadra nuk mund të shijojnë në fund sezonin e jashtëzakonshëm që po bëjnë. Më shumë për të evidentuar rezultatet e tyre se për të ndjekur gjurmët në hartën e fatit të keq, kemi listuar disa prej tyre, që kishin filluar të përgatiteshin për festën e madhe që tani.

Nga një ndeshje e Lacios këtë sezon. Gazeta Si, 15 mars 2020

1.Lacio
Nëse ka një skuadër që do të penalizohej shumë nga pamundësia për ta mbyllur sezonin aktual, ku mund të fitojë titullin kampion në bazë të ecurisë së deritanishme, është Lacio e Igli Tares dhe Tomas Strakoshës. Prej vitesh ky klub po ndjek një projekt ambicioz dhe të konsoliduar. Ka fituar tre trofe këto vite dhe ka qenë afër kualifikimit në Champions League, ndërsa ky sezon është i mrekullueshëm deri tani. Gjithë puna e bërë sezonet e fundit i ka dhënë frytet këtë kampionat. Javë pas jave, fitore pas fitore, mundësia për të fituar titullin është konkrete. Janë 21 rezultatet pozitive radhazi, mes tyre 16 fitore, që e kanë bërë Lacion ta përmendë fjalën “titull” pa druajtje. Lojë e konsoliduar dhe vend i dytë i merituar për skuadrën e Inzagit. Lacio ka bindur plotësisht me vazhdimësi në rezultate dhe kualitet në fushë. Mes shumë hipotezash, ajo për t’i dhënë një titull nderi Lacios nuk do të ishte keq.

Atalanta feston kualifikimin në çerekfinale të Championsit. Gazeta Si, 15 mars 2020

2.Atalanta
Memoria personale e momenteve historike është e lidhur me vendet, ku ato janë përjetuar. Pas disa vitesh, kur të përmendet ajo natë që Atalanta u rendit mes 8 skuadrave më të mira të Europës, tifozët e Atalantës së Berat Gjimshitit do të jenë të ndarë, sepse ishin të gjithë në… shtëpi. Ata e kanë përjetuar atë sukses nga divani ose rreth tavolinës së ngrënies. Skuadra u përqafua në rrethin e mesit të fushës të stadiumit “Mestalla” të Valencias dhe tifozët bergamaskë i përshëndeti me një mesazh në fanellë: “Bergamo, kjo është për ty”. Tetë gola të shënuar në dy ndeshje dhe kalimi i turit asnjëherë në diskutim. Një skuadër e ndërgjegjshme për forcën e saj nuk po e përjeton këtë aventurë europiane si një ëndërr. Në këtë pikë të Championsit, Atalanta përfaqëson skuadrën që të gjitha të mëdhatë duan ta takojnë. Si Ajaksi i sezonit 2018-2019, me Josip Iliçiç në versionin Dushan Tadiç.

Mohamed Salah, lideri i Liverpulit. Gazeta Si, 15 mars 2020

3.Liverpool
Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm ai i vjetshmi, ashtu siç vetëm fitimi i Championsit mund të jetë. Një sukses epik pas përmbysjes ë pabesueshme në gjysmëfinale ndaj Barcelonës me një 4-0 “të dhunshme” nga Liverpuli. Ishte kjo përmbysje që e bëri Liverpulin të ecte me “pilot automatik” në finalen ndaj Totenhemit. Shumë tifozë të Liverpulit donin ta shkëmbenin atë trofe, më prestigjiozin, me një tjetër, me titullin kampion në Angli që është një ëndërr për ta. Ishte viti 1990, kur Liverpuli i Keni Dalglish, Xhon Barns dhe Ian Rash fitonte titullin e fundit. Sezoni e fundit titulli i shpëtoi nga duart skuadrës së trajnerit Klop, që e humbi garën për pak centimetra, por tashmë “të kuqtë” e kanë në dorë edhe këtë trofe. Me 26 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, Liverpuli ka 25 pikë diferencë nga Mançester Siti. Pritjes së gjatë i ka ardhur fundi dhe kujtime të hidhura, si për shembull rrëshqitja e Stiven Xherard që i kushtoi titullin në 2014-ën, do të fshihen përgjithmonë. Asgjë nuk ia mohon dot Liverpulit trofeun në një kampionat që mund të mos përfundojë. Në këtë rast, logjika të bën të mendosh se Federata angleze do të marrë vendimin e drejtë për t’i dhënë titullin Liverpulit, që ka dominuar bindshëm.

Timo Verner, lideri i Lajpcigut. Gazeta Si, 15 mars 2020

4.Lajcigu
Lajpcigu, ashtu si Atalanta, po avancon në Champions. Me energjinë e “Red Bull”, skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsman, ka eliminuar Totenhemin dhe është mjaft zbavitëse në lojë. Është hera e parë që shkon deri në fazën me eliminim direkt, ndërkohë që u rendit e para në fazën e grupeve. Lajpcigu është nga ato skuadra, me të cilën “big-ët do të donin të ndesheshin deri pak kohë më parë, por tashmë situata ka ndryshuar. Edhe në kampionat Lajpcigu po ecën shumë mirë, duke qëndruar në pozita kryesuese, pas Bajernit të Mynihut. Një sezon i suksesshëm për këtë skuadër dhe trajnerin Nagelsman, por që rrezikon të errësohet nga pezullimi total i kompeticioneve. Një vendim që në fakt nuk mund ta ndalojë rritjen e këtij klubi të njohur vetëm në 10 vitet e fundit, kur ka ngjitur 5 kategori në 7 vjet. Tashmë është afirmuar si një big në futbollin gjerman dhe mes më të mirëve të Europës.

Lidsi feston një gol këtë sezon. Gazeta Si, 15 mars 2020

5.Lidsi
Kanë mbetur edhe 9 ndeshje nga fundi i kampionatit dhe Lidsi, një skuadër me emër në Angli, kryeson Championshipin (kategoria e dytë) me 71 pikë, 1 më shumë se Uest Bromuiç. Kjo distancë e ndan klubin historik nga kthimi në Premier League, ku mungon prej sezonit 2003-2004. Një kohë shumë e gjatë mes falimentimit sportiv dhe problemeve të ndryshme që e kanë çuar Lidsin deri në kategorinë e tretë. Janë ndërruar pronarët dhe sezonin e fundit ekipi ishte pranë ngjitjes, por humbi në gjysmëfinalen e “play-off”-it ndaj Derbit të Frenk Lampard, duke shtyrë kështu takimin me Premier League. Tifozët janë të bindur se ky është sezoni i duhur për rikthimin e skuadrës së drejtuar nga Marselo Bielsa në nivelin më të lartë të futbollit anglez.

Banderola e tifozëve të Tiranës në derbin e fundit. Gazeta Si, 15 mars 2020

6.Tirana
Në këtë listë mund të përfshihet pa asnjë dyshim edhe Tirana, skuadra më e titulluar në Shqipëri. Prej më shumë se 10 vjetësh (titulli i fundit 2008-2009) Tiranës i mungon titulli kampion. Jo vetëm kaq, por gjatë kësaj periudhe skuadra kryeqytetase ka përjetuar një nga momentet më të errëta të historisë së saj me rënien në Kategorinë e Parë. Këtë sezon, edhe pse fillimi nuk ishte shumë premtues dhe u ndërruan dy trajnerë, Tirana duket shumë afër titullit, pasi pasa 26 javësh kampionat ka 53 pikë, 9 më shumë se Kukësi i vendit të dytë.
Me uljen e Emanuel Egbo në stol, Tirana bëri kthesën e madhe të sezonit, duke fituar 2 derbi radhazi ndaj Partizanit, ndërkohë që kishte 5 vjet “e nënshtruar” ndaj të kuqve. Kampionati është pezulluar dhe nuk mund të parashikohet çfarë do të ndodhë, por nëse ky kampionat mjaft i bukur i bardhebluve nuk do të mbyllej, do të ishte vërtet një mëkat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë