Pezullimi i kampionateve dhe shtyrja e tyre mund të sjellë përfundimin e tyre në një kohë më të gjatë se sa parashikon kalendari, ndoshta mund të mbyllen në korrik. Së pari, UEFA duhet të marrë një vendim zyrtar për Euro 2020, ku hipotezat e para janë për shtyrje në muajin gusht, zhvillimin e Europianit në dimër ose vitin e ardhshëm.
Pastaj në rastin më të mirë, përfundimi i kampionateve me vonesë mund të krijojë një situatë të paprecedentë për klubet që kanë lojtarë të huazuar. Interi, për shembull, është një nga klubet që ka huazuar më shumë lojtarë dhe që pret blerjen e tyre nga skuadrat ku luajnë aktualisht, në mënyrë që të rregullojë bilancin financiar dhe të bëjë llogaritë e merkatos së verës. Por, pa u siguruar për shitjen e tyre, do ta ketë të vështirë të blejë. Bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm, që mund të jenë një barrë financiare për zikaltrit, nëse marrëveshjet nuk mbyllen me shitjen e tyre.
I pari është ish-kapiteni Mauro Ikardi, i cili kaloi në formë huazimi te PSG-ja, me të drejtë blerje në fund të sezonit. Fillimi ishte shumë i mbarë për argjentinasin, por kohët e fundit ai u eklipsua nga Mbape dhe Nejmar, duke vënë në merak Interin për blerjen e sulmuesit nga klubi francez. Nëse PSG-ja nuk bindet dhe e kthen në Milano Ikardin, për trajnerin Konte do të jetë një problem i madh. Klubi duhet t’i gjejë një ekip të ri, por vështirë që skuadra të tjera t’u përgjigjen kërkesave financiare të Interit.

I njëjti diskutim vlen edhe për Ivan Perisiç, i huazuar te Bajern Mynih, Raxha Naingolan i huazuar te Kaljari dhe portugezi Zhoao Mario i huazuar te Lokomotiva e Moskës në Rusi. Të gjithë këta lojtarë kanë kosto për Interin, që duhet t’i shesë për të investuar më pas për projektin e ardhshëm të Kontes. Përveç Interit, edhe klube të tjera kanë lojtarë të rëndësishëm të huazuar, por më të paktë. Barcelona, për shembull, ka problemin e Koutinjos, i huazuar me të drejtë blerje te Bajerni. Aktualisht, shumica e këtyre huazimeve duket se do të dështojnë dhe me situatën e krijuar aktualisht, mund të krijohet një precedent, sepse ata mund t’u ngelen në derë klubeve që i kanë në pronësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje