Qeveria ka hedhur poshtë propozimet e paraqitur nga opozita për të marrë masa lehtësuese ndaj biznesit dhe qytetarëve për këtë periudhë krize që pritet të shkaktohet nga vendimi për shtetrrethimin dhe vetizolimi. Por kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka insistuar sërish në propozimet e paraqitura të cilësuar si paketë lehtësuese.
“Masat ekonomike dhe sociale të propozuara nga PD janë të qarta dhe lehtësisht të zbatueshme për t’ju ardhur në ndihmë familjeve në nevojë dhe të moshuarve që jetojnë në kushte të vështira, dhe për të ndihmuar ekonominë.Le të jemi solidarë e të bashkuar në ndihmë të njeeri-tjetrit.
Sigurim pagash nga shteti për punonjësit kur biznesi është në pamundësi financiare për një periudhë dymujore, përjashtim nga tatimfitimi për 6 mujorët e parë të vitit dhe pezullim i tatim fitimit është një nga kërkesat e opozitës.
Sa i përket mbështetjes për shtresat në nevojë që në kushte normale nuk sigurojnë dot ushqim të mjaftueshëm dhe mijëra qytetarë të tjere që si pasojë e tërmetit jetojnë në kushte të vështira, në çadra pra në pamundësi për të siguruar ushqim dhe materiale higjeno-sanitare, PD propozon se që të realizohet nga shteti Furnizimi me ushqime dhe detergjent të të gjithë familjeve që janë në pamundësi ekonomike, duke përfshirë qindra familje që po jetojnë në çadra dhe në kushte aspak të favorshme si pasojë e termetit, si dhe të shihet mundësia peer të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë.
Por pas këtij qëndrimi ka reaguar menjëherë kryeministri Edi Rama, i cili ka ironizuar sërisht propozimet e hedhura nga opozita. Përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan se “Mirë virusi e mirë gjithë ky mal me halle mbi kokën e popullit, po s’të le as 7×7=42-shi me masat fantastike që i përsërit duke folur në gjumë! Fli o xhan fli se të erdhi dita po pas duarve laj edhe sytë që ta kuptosh se je zgjuar e mos i tregosh miletit si duket virusi nga hëna!”.
Propzimet e PD-së për masat lehtësuese ekonomike
-Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).
– Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.
– Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).
– Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
– Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.
– Të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.
– Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje