Politike

Krizë në qeverinë e Kosovës. Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm të LDK

Kosova mund të jetë në prag jo vetëm një krize mjekësorë për shkak të koronavirusit, por edhe një krize politike, pasi kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Brendshëm të Kosovës, Agim Veliu. Veliu, i cili është ndër zyrtarët më të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky vendim erdhi sepse Veliu kërkoi shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme për shkak të COVID-19.

Shkarkimi i tij vë edhe në rrezik koalicionin qeveritar mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Dy partitë kanë patur qendrime te kunderta kohët e fundit për shkak të taksës ndaj importeve serbe, me LDK-në që ka kërkuar heqjen e menjëhershme të saj. Në këto kushte, vendimi i Kurtit për të shkarkuar ministrin më të rëndësishëm të LDK-së  mund të shkaktojë një krizë të madhe politike në Kosovë.

Kryetari LDK-së, Isa Mustafa, e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit Veliu.

Në një prononcim për mediat Mustafa ka thënë se Kurti nuk është konsultuar me të dhe se ky vendim është në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit.

Në një reagim të dytë në rrjetin social Facebook, a i ka kërkuar Kurtit të tërhiqet nga vendimi.

“Kërkoj që Kryeministri të anulojë vendimin për shkarkimin e zotit Veliu dhe të marrë vendim për heqjen e taksës deri në fund të javës”, thotë  Mustafa.

Isa mustafa dhe Agim Veliu, Gazeta Si, 2020

Ai tha se marrëveshja e koalicionit e përcakton se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me njëri-tjetrin dhe se  duhet të merret parasysh edhe arsyetimi i Kryetarit të LDK-së.

“Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij”.

Veliu mbështeti mbrëmjen e kaluar propozimin e presidentit Hashim Thaçi për shpalljen e jashtëzakonshme, edhe pse Kurti kishte deklaruar se ky ishte një hap ekstrem.

Në njoftimin e për shkarkimin e tij, Kurti thotë se ministri i Brendshëm përhapi panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet nga ora në orë”. As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti  Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar efektetet e koronavirusit, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarata”, thotë kryeministri duke akuzuar Veliun ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë.

“ Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa, për shkarkimin e tij dhe i kam kërkuar të më dërgojë emrin e ministrit të ri.Ndërkohë, deri në zgjedhjen e ministrit të ri, të gjitha vendimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të merren nga zv. Ministri aktual, z. Xhelal Sveçla”, përfundon kryeministri Kurti.

Kriza ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike po vjen në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosoven, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë