Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare Joaquin Peirò, i cili për dy sezone, 1964-1966, ka qenë sulmuesi i Interit të madh të Helenio Herrerës. Me këtë ekip ai fitoi Kupën e Kampionëve dhe Kupën Interkontinentale në vitin 1965. Gjithashtu, Peiro veshi edhe fanellën e Torinos dhe Romës, përveç Atletiko Madridit dhe kombëtares spanjolle.
Ishte numri 9 i asaj skuadre të madhe që të gjithë interistët e kujtojnë përmendësh: Sarti, Burgniç, Faketi, Bedin, Guarneri, Piki, Jair, Macola, Peirò, Suarez, Korso. Peiro u bashkua me Interi në verën e 1964-ës dhe zuri vendin e Aurelio Milanit në qendër të sulmit zikaltër.

Emri i spanjollit është i lidhur ngushtë me atë gol të famshëm që i shënoi Liverpulit në gjysmëfinalen e Kupës së Kampionëve në sezonin 1964-65, kur Interi përmbysi në “San Siro” humbjen 3-1 të pësuar në “Anfield” në ndeshjen e parë. Peirò mbeti në histori për atë surprizë që i bëri portierit Klemens, i cili po bënte rivënien e topit në lojë. Ia rrëmbeu topin dhe shënoi me portën e boshatisur golin e 2-të, që i mundoi Interit kalimin në finalen ndaj Benfikës, ku fitoi trofeun e rëndësishëm. Edhe një sezon më parë, në finalen e Kupës Interkontinentale kundër Independientes, Peiro ishte vendimtar me golin e parë në fitoren 3-0 në “San Siro”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje