Politike

“S’u bë deti kos”, Rama kundër kërkesave të biznesit dhe shtyrjes së faturave

Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive është shprehur kundër kërkesave të paraqitura nga biznesi për të shtyrjen me një vit pagesat e kësteve të kredive që kanë marrë.
Rama deklaroi se shtyrja për 1 vit e kredive do të thotë që ne t’i lëmë bankat në pikë të hallit. Ai bëri dhe një thirrje apo paralajmërim për bizneset e mëdha, duke i cilësuar si të turpshme këto kërkesa që nuk bëhen as në kohë paqeje dhe jo aktualisht që e cilëson si një kohë lufte. “Ne kemi marrë parasysh gjithçka që mund të bëjmë. Kreditë janë shtyrë 3 muaj, ata t’iu drejtohen bankave. Shtyrja për 1 vit e kredive do të thotë që ne t’i lëmë bankat në pikë të hallit. Për çfarë arsye duhet të shtyjmë pagesën e taksave të kompanive të mëdha. Me çfarë do ta financojmë ne luftën nëse shtyjmë pagesat e kompanive të mëdha. Taksat janë detyrime që janë të pashmangshme, kështu që këto janë nga ato sugjerimet që thashë, dëshira në kohë paqeje, nuk janë sugjerime për kohë lufte. Kjo tregon se disa prej këtyre njerëzve të nderuar nuk e kanë marrë vesh që jemi në luftë nuk është bërë deti kos”, deklaroi kryeministri në një intervistë për News 24.
Gjithashtu ai ka bërë të ditur se ka qenë i akuzuar nga opozita se po mbron oligarkët, që sipas tij, janë sulmuar në pa të drejtë, por se këto kërkesa të paraqitura nga biznesi janë të papranueshme. “Shtyrja me një vit të pagesave çon në pikë të hallit bankat. Unë jam ai që në kohë paqeje akuzohem si i oligarkëve padrejtësisht. Dua të jem i drejtpërdrejt, e konsideroj të turpshme që ata njerëz që kanë ngritur biznese të mëdha të akuzohen dhe baltosen siç janë akuzuar dhe baltosen, por është koha t’iu them atyre se jeni të parët që duhet të sakrifikoni për popullin shqiptar. Nëse ju nuk sakrifikoni nuk ka më një vend ku ju mund të vazhdoni të bëni biznes rehat. Sot ka biznesi si a i tregut të shumicës që po shesin akoma më shumë se ditët e tjera, e po abuzojnë me çmimet e tyre, duke përpiluar fatura false dhe kjo gjë në kohë lufte është krim. Çfarë presin këta të përfitojnë kur janë biznese që po punojnë”, theksoi Rama.
Gjithashtu kryeministri hodhi poshtë edhe idenë se shtyrjes së pagesave të faturave mujore të energjisë duke deklaruar se kjo do të çonte në kolaps sistemin e OSSHE, për të cilën mezi sipas tij e kanë nxjerrë nga gërmadha. ” Nëse vendim që mos të paguhet energjia, atëherë vendosim që të bëjmë Shqipërinë black-out. Se kuptoj se për çfarë arsye nuk duhet të paguhet energjia, ndërkohë që pagën do ta marrësh njësoj, duke ndenjur në shtëpi. Ka vende të zhvilluara që mund të bëjnë shtyrje, por s’jemi ndër ta. Ne mezi e kemi ngritur atë sektor dhe atë kompani. Pasi ajo duhet për sot dhe për nesër. Duhet pastaj dhe për në korrik e shtator”, theksoi Rama. Ndërsa paralajmëroi se mund të mbështese biznesin e turizmit që do të vendoset në vështirësi për shkak të kësaj situate që po krijohet nga koronavirusi.

Premton paga për punonjësit, të qëndrojnë në shtëpi
Rama, duke ruajtur sekret skemën që do ta miratojë të enjten në mbledhjen e qeverisë, premtoi se do t’i paguante pagën punonjësve vetëm që të mos lëvizin dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
“Edhe njëherë, e përsëris, atë që kam thënë dje, pardje dhe që do të kthehet në akt, të gjithë atyre të cilët kanë një kompani dhe s’kanë mundësi të paguajnë pagat, qeveria do u jap një garanci financiare për të bërë këtë. Ata që kanë sipërmarrje të vogël, qeveria do t’u japë një instrument për të mos humbur atë që është paga e tyre. Si do bëhet kjo. Më lini ta them kur grupi i ekspertëve ta thotë. Nesër! Kam një sugjerim për biznesmenët; ata duhet të kuptojnë se jemi në luftë dhe ata duhet të mbajnë radhën të parët dhe tua lënë të tjerëve kohën për të kërkuar, sepse ka të tjerë që janë në pozite më të vështirë. Ata janë të rëndësishëm, për të fundit në radhë për të hapur gojën në kohë luftë dhe lërë pastaj për të kërkuar gjëra që janë mësuar të kërkojnë sa herë bëhet buxheti i shtetit”, theksoi Rama. Ndërsa hodhi idenë se ka ardhur ideja që të të pasurit, ose ato që marrin rroga të larta, duke përfshirë deputetët, të sakrifikojnë duke mos marrë pagën për të ndihmuar dhe ushqyer njerëzit në nevojë.


“Skenar më i keq, ai i Italisë. Jo testet masive”
Kryeministri më pas ka theksuar se skenari më i keq për Shqipërinë është ai i Italisë. Çdo ditë po shpëtojmë jetë dhe lehtësojmë plagë me qëndrimin në shtëpi, në kuptimin që po e pengojmë virusin që të përhapet. E nga ana tjetër nuk e dimë se deri në çfarë pike po na kërkon virusi. Kam shumë besim që jemi duke bërë gjërat e duhura, e nevojë duke financuar këtë luftë, duke financuar armatën që janë në vijën e parë, mjekët e infermierët është jetike dhe ne do ta plotësojnë. Dua të them se ata që janë më të pasur të mos paraqesin kërkesa edhe në kohë paqe që nuk mund të imagjinohen”, theksoi kryeministri. Ndërsa ka dhënë shpjegime se pse nuk kryhen teste masive për koronavirusi. Sipas tij, Shqipëria do ndjekë shembullin e Zvicrës që teston ata mbi 65-vjeç dhe të sëmurët kronikë, kurse për të tjerët do rekomandohet qëndrimi në shtëpi. “Zvicra ka vendosur të testojë vetëm ata që janë 65 vjeç, pse? Sepse janë më të prekshmit dhe më të dobëtit si dhe ata me sëmundje kronike, për të tjërët këshilla është qëndro në shtëpi. Kjo historia e testeve ka hapur debat, por në të gjithë rajonin fokusi është tek më të rrezikuarit”,- vijoi Rama, duke theksuar se nuk është koha për të dalë jashtë në diell, por për të qëndruar të izoluar.
Sa i përket propozimeve të opozitës për masat e propozuara me 8 pika, Rama e ka cilësuar si përralla. “Ne nuk kemi asnjë problem të marrim parasysh propozime të kujtdoqoftë, lëre pasaj të opozitës. Por opozita jonë nuk ka asnjë punë tjetër, e jona e ka zakon që edhe atë punë që ka të mos e bëjë, por të ngatërrojë punët e gjithë dynjasë, duke ngatërruar çdo situatë të vështirë, duke mos u përmbajtur edhe në kohë krize si ajo e tërmetit, apo si kjo që po kalojmë tani. Ka nevojën e vetë instiktive për të ofruar përralla. Ne do bëjmë gjërat e duhura, me mundësitë tona sa do bëjnë edhe vendet e tjera të mëdha e të vogla për popujt e tyre”,- nënvizoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë