Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka akuzuar qeverinë se ka lënë në mëshirë të fatit 100 studentët shqiptarë në Bullgari. Në një reagim të tij në rrjetet sociale, Boçi shprehet se “qeveria shqiptare ka braktisur dhe ka lënë në mëshirë të fatit mbi 100 studentë të cilët gjenden me studime në Bullgari. Ndërsa Mali i Zi dërgon avion të posaçëm për studentët e vet, Shqipëria i le në mes të katër rrugëve. Kërkesës së tyre, ambasada i është përgjigjur në mënyrë evazive, duke mos i ofruar asnjë mbështetje dhe asnjë garanci për kalim në doganat shqiptare. Ndërkohë, kampusi është mbyllur dhe pjesa tjetër e mësimit do të vazhdojë online. Studentët duhet të largohen në vendet përkatëse”.
Ai bën të ditur se mes studentëve dhe personelit të ambasadës shqiptare në Sofje ka pasur edhe një komunikim, por që sipas tyre, e vetmja zgjidhje që i është ofruar që ata të udhëtojnë drejt Turqisë dhe më pas të vijnë në Shqipëri.

“Pas email-t të datës 14, në takimin me ambasadën, atyre i është ofruar si zgjidhje vetëm rruga nëpërmjet Turqisë, me avion që kushton shumë, përtej mundësisë financiare të familjeve të tyre. Kërkesës së studentëve që shteti t’i evakuojë me autobuzë, ambasada i është përgjigjur në formë refuzuese. Studentët bëjnë apel për krijimin e mundësisë së kthimit të tyre dhe shprehin gadishmërinë e karantinimit 14 ditor, sapo të mbërrijnë. Kjo është fytyra e vërtetë e një qeverisje të papërgjegjshme që ka braktisur çdo detyrim dhe përkujdes ndaj shtetasve të vet. Studentët duhet të kthehen në Shqipëri!”, shprehet Boçi.
Ndërsa ambasada shqiptare në njoftim në llogarinë zyrtare në rrjetet sociale shprehet se “kalimi nëpërmjet rrugëve tokësore, që kalojnë nga Bullgaria përmes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është i pezulluar përkohësisht për qytetarët e vendeve të treta, ku përfshihen edhe qytetarët shqiptarë!”
“Lutemi të gjithë qytetarëve shqiptarë, që ndodhen në Bullgari të përdorin transportin ajror përmes kalimit tranzit për kthimin në Shqipëri dhe të informohen në kohë, pasi dinamikat ndryshojnë brenda një kohe të shkurtër. Udhëtimet sugjerohen vetëm në rast se janë të domosdoshme”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Bullgaria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për periudhën 13 mars-13 prill 2020. Është e mundur hyrja në territorin bullgar vetëm pas ekzaminimit të duhur mjekësor në kufi. Sipas rezultateve të ekzaminimit, qytetari do të vendoset në karantinë ose në vetë-izolim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje