Futboll

UEFA shtyn një muaj afatin e licencimit të klubeve për Kupat e Europës

Me vendimet e fundit të UEFA-s për kampionatin europian, Kupat e Europës dhe kampionatet kombëtare, efekti i shtyrjes është domino. Kampionatet duhet të mbyllen në fund të qershorit, për t’ua lënë vendin Kupave të Europës, por klubet kanë humbur kohë dhe UEFA ka vendosur të shtyjë me një muaj afatin e licencimit të klubeve për në kompeticionet europiane.

Lajmi bëhet i ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kështu, klubet shqiptare që pretendojnë të luajnë në Europë, nuk do të kenë si afat të fundit për plotësimin e dokumentacionit të licencimit fundin e marsit, por fundin e prillit. Një muaj më shumë kohë. Deri më 30 prill klubet kandidate duhet të dorëzojnë pranë FSHF-së të gjitha dokumentet e nevojshme, pra duhet të plotësojnë çdo kriter për të shkuar në Europë. Duhen plotësuar kriteri sportiv, infrastrukturor, administrativ dhe ligjor.

Vitet e fundit UEFA ka vënë kushte të forta për klubet që duan të marrin pjesë në kompeticionet e saj dhe mbetet për t’u parë, nëse klubet shqiptare do t’ia dalin. Kujtojmë që sezonet e fundit, jo pak skuadra, edhe pse kanë zënë një vend që i çonte në Europë, nuk kanë mundur të marrin pjesë, sepse kanë pasur probleme të tjera, kryesisht financiare. Janë “djegur” vitet e fundit klube si Tirana, Flamurtari, Vllaznia dhe ndonjë tjetër. Shqipëria përfaqësohet në Kupat e Europës me 4 skuadra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë