Presidenti shpërthyes i Sionit në Zvicër, Kristian Konstantin, i njohur për bëmat e tij, është kthyer në qendër të vëmendjes me veprimin e tij të fundit. Numri 1 i skuadrës së Superligës zvicerane ka përjashtuar plot 8 futbollistë, mes të cilëve edhe mbrojtësin e Kombëtares, Ermir Lenjani.
Ai mori këtë masë drastike, sepse lojtarët nuk iu përgjigjën pozitivisht propozimit të tij për të firmosur kontrata të reja me afat të shkurtër dhe me rrogë të reduktuar, në mënyrë që të përballohen problemet ekonomike që ka shkaktuar koronavirusi me ndërprerjen e kampionateve.

Një lajm skandaloz ky, sipas medieve zvicerane që kanë raportuar lajmin e përjashtimit të 8 futbollistëve nga presidenti i Sionit. Përveç Lenjanit, një titullar fiks i formacionit, janë përjashtuar edhe shqiptari që luan për Zvicrën Pajtim Kasami, ish-mesfushori i njohur i Arsenalit Aleks Song, ish-sulmuesi i CSKA së Moskës dhe Romës, Seidu Dumbia, Ksavier Kuasi, Mikael Fakineti, Kristian Zok dhe Birama Ndoje.
Lenjani e ka nisur karrierën në Zvicër, ku 30-vjeçari ka luajtur për ekipe si Uinterthur, St.Galen dhe Grasshopers. Ai ka pasur një aventurë në Francë, ku ka veshur fanellën e Renes dhe Nantes, ndërsa në Kombëtaren e Shqipërisë ka qenë një element i rëndësishëm, sidomos në kualifikueset për në Europianin e Francës, ku ka shënuar edhe gola. Me rikthimin në Zvicër, ai iu bashkua Sionit, por tashmë i duhet të gjejë një skuadër të re në një situatë aspak komode.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje