Edhe Turqia vendosi ta pezullojë kampionatin, pavarësisht përpjekjeve për të vazhduar. Ishte ndër kampionatet e fundit që vazhdonte të luante, por e papritura vjen nga Bjellorusia. Presidenti i vendit, Aleksandër Lukashenko, i këshillon popullit formulën për të mundur virusin. Sipas tij, duke bërë sauna, duke pirë sa më shumë vodka dhe duke punuar sa më shumë, njerëzit mund të vrasin virusin e Koronavirusit në organizmin e tyre.
Edhe në Bjellorusi janë regjistruar deri tani 51 raste të të infektuarve me Covid-19, por kampionati nisi sot rregullisht me ndeshjen Energetik-Bate Borisov, 3-1. Ndeshja u luajt me dyer të hapura, pra me tifozë. Kampionati bjellorus ka 16 skuadra dhe aty luan edhe ish-sulmuesi i Partizanit, Dinamos dhe Tiranës, Elis Bakaj, i cili aktivizohet me Dinamo Brest. Aleksandër Aleinik, zëdhënësi për shtyp i federatës ka shpjeguar: “Vendimi për të vazhduar kampionatin dhe me tifozë është marrë pas mbledhjes të së martës me UEFA-n. Shumë kampionate janë pezulluar, ndërsa ne fillojmë tani, sepse sezoni ynë nis në pranverë dhe mbaron në vjeshtë”.

Në Bjellorusi nis gara, ndërsa Rusia ka mbyllur kufijtë me vendin fqinj për të parandaluar përhapjen e virusit. Presidenti Lukashenko, i njohur për faktin se pak vite më parë donte të ndalonte martesën e grave bjelloruse me të huajt, i është drejtuar popullit me këtë mesazh: “Bëni sa më shumë sauna, pini sa më shumë vodka dhe punoni sa më shumë për të vrarë virusin në organizimin tuaj”. Koronavirusin presidenti Lukashenko e përkufizon si një “psikozë”, ndërsa mbylljen e kufirit e sheh si një “idiotësi”.
Federata Turke e Futbollit vendosi më në fund pezullimin për një muaj të kampionatit, pas konsultave me qeverinë. Në Belgjikë është vendosur që kampionati të mos fillojë të paktën deri më 30 prill. Edhe Anglia e ka shtyrë pezullimin e Premier League deri në fund të muajit të ardhshëm. Me sa duket, situata po shkon më keq nga sa ishte parashikuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje