Mino Raiola, menaxheri i njohur italian, i ka premtuar Real Madridit se në verë do t’i “dhurojë një lojtar të madh, një lojtar të kalibrit botëror, por pa përmendur asnjë emër. Premtimi i tij mund të prekë direkt Juventusin dhe indirekt Milanin. Fjalët e prokuratorit të fuqishëm japin disa indicje për identikitin e lojtarit që ai ka në plan të çojë në Madrid.
“Në verë, – ka thënë Raiola për “Marca”, – do të transferoj një lojtar të madh te Real Madrid. Raportet e mia me klubin spanjoll janë shumë të mira. Kam shumë shpresë se një nga lojtarët e mi më të mirë do të veshë fanellën e Realit. Dua të çoj te kjo skuadër një yll dhe bëhet fjalë për një shitje përfundimtare, çka do të më bënte shumë krenar, sepse Real Madrid është një nga klubet më të mëdhenj në botë”.

Rrethi mund të ngushtohet në dy lojtarë në mënyrë të veçantë: mesfushori francez Pol Pogba dhe portieri Xhanluixhi Donaruma. Dy lojtarëve në fjalë u skadon kontrata me Mançester Junajtid dhe Milanin në vitin 2021. Pol Pogba është një objektiv i Juventusit, ashtu si dhe portieri i Milanit. Më afër Realit është Pogba, një dëshirë e madhe e trajnerit Zinedin Zidan dhe kjo do të thotë se rriten shanset e Juventusit për të marrë portierin Donaruma nga Milani. Kjo është mundësia më e madhe, duke iu referuar fjalëve të Raiolës, por mund të ndodhë edhe e kundërta: Pogba në Torino dhe Donaruma te Reali.
Një pistë mjaft interesante e merkatos verore pritet të jetë ajo e sulmuesit gjerman, Leroi Sane. Futbollisti i Mançester Sitit pësoi një dëmtim të rëndë muaj më parë, por tashmë është pranë riaftësimit. Për të janë vënë në garë Real Madrid dhe Barcelona, dy klubet më të mëdha të Spanjës, por edhe të Europës. Sulmuesi anësor është një nga më të mirët në rolin e tij dhe Reali e Barcelona janë gati t’ia rrëmbejnë Guardiolës në verë. Disa muaj më parë ishte thuajse zyrtar kalimi i Sane te Bajern Mynih, por transferimi dështoi për shkak të dëmtimit të futbollistit.

Si Reali, ashtu edhe Barcelona, po përgatiten për të bërë lëvizje të rëndësishme në organikë gjatë merkatos së verës. Janë gati të investojnë fuqishëm dhe aktualisht më të përfolur për të kaluar në Spanjë janë lojtarë e dy Mançesterëve, Pol Pogba i Junajtid dhe Leroi Sane i Sitit. Agjentët e lojtarëve vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, pavarësisht situatës që ka paralizuar futbollin në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje