Një fjalë e vetme që shkon nga njëri vend në tjetrin: solidaritet. Sepse Koronavirusi nuk bën dallim gjinie, race dhe niveli social. Në këtë moment krize, me pasoja ekonomike për qytetarët, disa klube profesioniste futbolli janë treguar të gatshëm të kontribuojnë financiarisht.
Mes tyre është Heart, i fundit në kampionatin skocez. Gjashtë vite më parë ekipi rrezikoi falimentimin dhe u shpëtua nga An Budge, një biznesmene skoceze, që aktualisht, për shkak të mungesës së sponsorëve dhe të ardhurave, po has vështirësi për ta mbajtur klubin. Për këtë arsye, Daniel Stendel, trajneri gjerman i Hearts ka vendosur të heqë dorë 100% nga rroga e tij deri në përfundim të krizës nga Koronavirusi. “Nuk e refuzova rrogën për publicitet, – ka shpjeguar Stendel për “Sport1”. – Shpresoj të shtyj edhe të tjerët të reflektojnë. Gjashtë vite më parë pronarja e shpëtoi klubin dhe mendova si mund ta ndihmoj punëdhënësin tim. Nëse pas 3 muajsh falimenton, nuk është mirë për askënd. U mundova të jap kontributin tim, sepse ndjeva një përgjegjësi të madhe.”

Te Bajerni i Mynihut janë të shumtë lojtarët që po bëjë donacione. Kimish dhe Gorecka, për shembull, dhuruan 1 milion euro, duke mbështetur iniciativën “WeKickCorona”. Këto të ardhura do t’u shpërndahen disa organizatave bamirëse, që do të ndihmojnë spitalet dhe të pastrehët. Gorecka ka shpjeguar: “Koronavirusin e mundim vetëm me lojë skuadre. Me iniciativën “WeKickCorona” duam të mbështesim gjithë Gjermaninë, shoqatat që ndihmojnë të ardhmen”.
Edhe Robert Levandovski ka dhuruar një milion euro: “Jemi të ndërgjegjshëm për situatën shumë të vështirë që është përreth nesh. Sot luajmë të gjithë në të njëjtën skuadër. Duhet të jemi të fortë në këtë betejë. Nëse mund të ndihmojmë dikë, është e drejtë ta bëjmë. Kjo situatë u përket të gjithëve dhe është e rëndësishme të respektojmë udhëzimet që na jepen. Bëhuni të përgjegjshëm! Besojmë se mund të kthehemi në jetën e mëparshme. Ta kalojmë së bashku këtë moment”, – ka thënë sulmuesi polak.

Lojtari i Dyseldorfit, Steven Skrzubski, ka bërë me dije me anë të Instagramit vendimin për të refuzuar një pjesë të pagës: ”Futbolli më ka dhënë shumë edhe nga ana ekonomike dhe është e drejtë të jap diçka në këtë moment të vështirë. Në sport shpesh na quajnë heronj, por heronjtë e vërtetë janë mjekët dhe infermierët. Para tyre thjesht duhet të heqim kapelën. Për t’i falënderuar për atë që po bëjnë ditë e natë, kam bërë një donacion në klinikën universitare të qytetit dhe u ofrova të gjithëve një picë”.
Një ndihmë ka marrë në këtë situatë edhe Hertha e Berlinit. Klubi gjerman paguan 5 milionë euro në vit qira për “Olympiastadion”. Nëse Bundesliga do të rinisë, ndeshjet do të luhen pa tifozë dhe Herthës do t’i mungojnë të ardhurat nga shitja e biletave. Timo Rohueder, pronari i stadiumit, ka shpjeguar për “Sport Bild” se: “Do të gjejmë një zgjidhje miqësore. Nuk mund të futim në llogari gjëra që Hertha nuk i ka shfrytëzuar. Nëse ndeshjet do luhen pa tifozë, nuk do të kërkojmë të njëjtën qira. Kur të jetë momenti, do të diskutojmë me drejtuesit e Herthës”. Është një moment i vështirësisë kolektive, por edhe i solidaritetit të madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje