Lulzim Basha i kërkon Qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e vendit dhe të mbyllë menjëherë të gjitha sipërmarrjet me numër të madh punonjësish që vazhdojnë të kryejnë aktivitetin.
Kreu i PD-së propozon tre masa të reja, që duhen ndërmarrë sa më parë, për t’i dalë, siç thotë, të keqes përpara.
“Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të mbyllen call centers, fasoneritë dhe sipërmarrjet e tjera me numër të madh punonjësish në një hapësirë të mbyllur që kanë probabilitet të lartë për të përhapur virusin”, propozon Basha si pikë të parë.
Pika e dytë kërkon një plan masash të hollësishëm, me afate të mirëpërcaktuara për sipërmarrjen dhe qytetarët.
“Të hartohet një plan masash i detajuar dhe me afate të mirëpërcaktuara për mënyrën e operimit të bizneseve që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve”, thotë ai.
Së treti, Basha thotë se gjendja e jashtëzakonshme do t’i diktonte Qeverisë që të garantonte kushtet jetike për të gjithë qytetarët që e kanë të pamundur të përballojnë izolimin.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë të vështirë. Qytetarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi ndërsa qeveria duhet t’u japë siguri për të përballuar jetesën e tyre”, mbyll reagimin e tij, Lulzim Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje