Emergjenca nga Koronavirusi e ka detyruar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar të reflektojë në lidhje me “Tokio 2020”, por askush nuk dëshiron që aktiviteti të shkojë më larg se fundi i vitit. Presidenti Bach ka pranuar se ka paqartësi të mëdha dhe se flaka olimpike është e vetmja dritë në fund të tunelit. Në Japoni ndërkohë ka përplasje të brendshme për organizimin e Lojërave Olimpike.
CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar), teksa sheh të rriten paqartësitë, për herë të parë ka pranuar se ka një hipotezë për shtyrjen e Lojërave Olimpike. Përmasat e pandemisë po rriten dhe shtyrja “Tokio 2020” do të ishte zgjidhja e vetme, por duhet që Lojërat Olimpike të zhvillohen gjithsesi brenda këtij vitit. Për herë të parë shtyrja është marrë në konsideratë, edhe pse më parë është thënë se nuk është në axhendë. Propozimi i shtyrjes është hedhur nga shumë komitete olimpike kombëtare dhe federata ndërkombëtare. Mbledhja e ekzekutivit, e zhvilluar sot me videokonferencë, ka dalë në konkluzionin se brenda një muaji duhet marrë një vendim zyrtar për të mbrojtur shëndetin e sportistëve.

“Jeta e njerëzve ka përparësi para së gjithash, përfshirë edhe Lojërat Olimplike, – shkruan presidenti i CIO-s, Thomas Bach, në letrën dërguar sportistëve pas mbledhjes së jashtëzakonshme. – CIO dëshiron zgjidhjen më të mirë. Të gjithë po punojmë me shpresën që në fund të gjithë sportistët, komitetet olimpike dhe federatat e të gjithë kontinenteve të jenë të kënaqur. Shpresoj që në fund të këtij tuneli që po kalojmë, pa e ditur për sa kohë, flaka olimpike të jetë drita. Në këtë moment ka shumë paqartësi”.
Më shumë se 55.000 persona kanë pritur flakën olimpike në qytetin japonez Sendai, pavarësisht rrezikut në rritje nga pandemia e koronavirusit. Në Japoni janë të ndarë sa i takon organizimit të Lojërave Olimpike në gusht, duke parë situatën kritike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje