Rastet e sportistëve të prekur nga Koronavirusi janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, duke sjellë pezullimin e aktiviteteve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare njëri pas tjetrit. Çështja më e diskutuar e momentit ka të bëjë me Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ku shtyrja është shumë pranë.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pritet të marrë një vendim zyrtar brenda datës 15 prill, por shtyrja duket formalitet, sepse gjithmonë e më tepër po shtohen zërat kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike në gusht, duke pasur parasysh situatën aktuale. Një qëndrim të prerë ka mbajtur Kanadaja, që ka vendosur të mos i dërgojë sportistët e saj në Tokio, nëse aktivitetit do të zhvillohet në gusht.

Komiteti Olimpik i Kanadasë (COC) dhe ai Paraolimpik (CPC) e kanë bërë të ditur vendimin me një njoftim zyrtar. “I kërkojmë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të shtyjnë Lojërat Olimpike me një vit. Në të kundërt, sportistët tanë nuk do të shkojnë në Tokio”, – shkruhet në këtë njoftim. Komiteti Olimpik i Kanadasë ka mbështetjen e të gjitha organizatave sportive në vend dhe të qeverisë kanadeze.
Shembullin e Kanadasë pritet ta ndjekin edhe shumë vende të tjera, pasi thuajse të gjithë janë kundër zhvillimit të “Tokio 2020” sipas afatit të përcaktuar më parë. Për momentin po diskutohet që Lojërat Olimpike të zhvillohen në fund të vitit, por mundësia më e madhe është që të ketë një shtyrje me një vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje