Roli i portierit është sigurisht një nga më tërheqësit në futboll, por edhe një ndër më pak të vlerësuarit. Shpesh mbrojtësit ekstremë duhet të kënaqen me çmimet që merr gjithë skuadra, ose maksimumi me vlerësime individuale që janë më pak të rëndësishëm se, për shembull, “Topi i Artë”, që dekreton futbollistin më të fortë të vitit. Portierët nuk kanë një traditë të mirë në këtë drejtim, mjafton të përmendet fakti se në më shumë se 60 vjet vetëm njëri ia ka dalë, Lev Jashin. Sportisti që revolucionarizoi rolin e portierit është ndarë nga jeta 30 vite më parë.

Dino Xof ka fituar 6 tituj kampionë në Itali, një Kupë UEFA, një Europian dhe një Botëror, atë të 1982-shit, Bufon ka fituar 9 tituj, një Kupë UEFA dhe një Botëror, Kasilas ka fituar 5 tituj në Spanjë, 3 Champions me Realin, dy Europianë dhe një Botëror me Spanjën, por asnjëri prej të treve nuk e ka fituar “Topin e Artë”. Janë të tre portierë fenomenalë pa dyshim, fitues dhe ndër më të fortët e historisë, kanë fituar trofe me pritje vendimtare, megjithatë në shkallën më të lartë të podit kanë hipur gjithmonë të tjerët, goleadorët dhe fantazistët. Portierët gjithmonë janë kënaqur me duartrokitjet dhe komplimentet, ose më mirë thuajse gjithmonë.

Në historinë e çmimit të “Topit artë”, vetëm një herë ai që ka buzëqeshur ka qenë portier. Ishte viti 1963, kur Lev Jashin, portieri i madh i Rusisë, regjistronte një rekord dhe shpallej më i miri. Pse pikërisht ai? Ka fituar më shumë se të tjerët? Jo, në gjithë karrierën ka fituar 5 tituj kampion në Rusi dhe një Europian, nuk ka fituar kurrë një Botëror dhe një Kupë Kampionësh. Atëherë ndoshta se në vitin 1963 nuk kishte lojtarë të tjerë kalibri për ta fituar çmimin e madh?
Edhe kjo është një hipotezë e gabuar, sepse ishin Rivera, Euzebio, Macola, Di Stefano e Pushkash, sa për të përmendur disa kampionë të viteve ’60. Atëherë pse Jashin? Arsyet janë disa dhe e para është të qenit një flamur, një vlerë e shtuar në futbollin e kohës. Lev Jashin ka veshur vetëm dy fanella në karrierën e tij të gjatë prej më shumë se 20 vjetësh: ato të Dinamos së Moskës dhe ish-Bashkimit Sovjetik (URSS).

“Futbollisti rus i preferuar? Lev Jashin”. Janë fjalët e presidentit Vladimir Putin, por përtej nostalgjisë, “merimanga e zezë” ishte një portier i madh. Jo vetëm fenomenal në instinktet e rolit, por dukej sikur vetë roli i portierit ishte krijuar për të dhe gjithçka rridhte natyrshëm në vena. Nuk është rastësi që ka fituar edhe një kupë në hokejin në akull, gjithmonë si portier. Që në kohën e tij dukej si një Nojer i 2014-ës. Këtu përfundon njeriu dhe fillon legjenda.
Dhe legjenda thotë se ka pritur më shumë se 100 penallti. Një prej tyre ia ka pritur Sandro Macolës, i cili pasi Jashin i priti gjuajtjen, deklaroi: “Për mua ai ishte i vetmi portier i aftë për t’i bërë kundërshtarët të gabonin. Me fizikun e jashtëzakonshëm dhe krahët e gjatë mbulonte gjithë portën. Kur shkoja te porta, ai qëndronte atje i palëvizshëm dhe më detyronte të mendoja: nëse ai nuk lëviz, nga cila anë të gjuaj? Të fuste në ankth. Një gol në portën e Jashin mund të lindte vetëm nga një gjuajtje e gabuar”.

Legjenda thotë gjithashtu se e ka mbajtur rrjetën të paprekur në 270 ndeshje dhe se ka luajtur një pjesë të një çerekfinaleje botërori me një sy, sepse në tjetrin kishte një fashë. Portreti i tij përfundoi në një monedhë, emri i tij iu vu një asteroidi, nuk kishte fushë ku nuk mbërriti fama e Lev Jashinit. Edhe mes legjendash ai ishte më i dashuri. Përpara rreth 100 mijë spektatorëve, në një miqësore mes Anglisë (që festonte 100-vjetorin e krijimit) dhe pjesës tjetër të botës, ovacionet ishin të mëdha për portierin sovjetik, në çdo pritje të tij kishte “standing ovation”.
E vërteta është se “merimanga e zezë” ishte më shumë se një portier. Ishte një revolucionar i rolit të tij: ai zbuloi që mbrojtja mund të organizohej edhe nga lojtari më i tërhequr që më parë mendonte vetëm për të mos lejuar topin të përfundonte në rrjetë. Ishte i pari që eksploroi fushën, duke dalë nga zona e rreptësisë dhe duke marrë pjesë aktive në manovrën e skuadrës, tamam si një mbrojtës i shtuar. Ndoshta nuk është vetëm një arsye pse është pikërisht ai i vetmi portier që fitoi “Topin e Artë”. Mund të jenë me qindra arsye, ashtu si pritjet e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje