Politike

Konflikti Tufa-Braho bllokoi studimet e krimeve të luftës nacionalçlirimtare

Konflikti mes deputetin e PS-së, Spartak Braho dhe ish-komandantin e burgut në kohën e regjimit diktatorial ka bllokuar punën e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Një përplasje e fortë u shkaktua vitin e kaluar mes deputetit të PS-së, Spartak Braho dhe kreut të Institutit, Agron Tufa, gjë që u shoqërua më vonë edhe largimin e këtij titullari drejt Zvicrës, ku kërkoi azil politik.

LEXO EDHE:
– Agron Tufa: Ambasadat më braktisën. Në administratë rreth 3 mijë ish-sigurimsa
– Kërkoi azil politik, zbulohet letra e Agron Tufës: Ish-sigurimi vrau dëshmitarin e burgut të Qafë-Barit
– Pas ikjes së Agron Tufës, Çelo Hoxha në krye të Institutit

Ky konflikt pasqyrohet në raportin vjetor të këtij Instituti që është depozituar në Parlament dhe që pritet të jetë objekt i shqyrtimit në ditët e ardhshme, pas kalimit të situatës nga pandemia e koronavirusit.
“Fushata denigruese kundër ISKK e iniciuar në media nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një ish- komandant burgu dhe persona të tjerë në konflikt interesi me ligjin organik të ISKK, solli demoralizimin e bashkëpunëtorëve, stepjen e dëshmitarëve në dhënien e dëshmive audio-vizuale, intimidimin e tyre, deri edhe në humbjen e besimit tek institucionet, tek kauza e transparencës së krimeve të komunizmit në Shqipëri si pjesë e procesit të drejtësisë tranzitore. Kjo është arsyeja që videoregjistrimet e dëshmive, nuk arritën të kapnin kuotën e parashikuar”, thuhet në raportin vjetor të siguruar nga Gazeta “Si”.

Faksimile e raportit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Gazeta “Si” 23 mars 2020


Raporti në fakt nuk përmend me emër deputetin që ka konflikt dhe ish-komandantin e burgut, por dihet që Tufa ka hedhur në gjyq deputetin e PS-së, Spartak Braho për shpifje, si dhe ish-komandantin e burgut të Burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja. Përplasja me Tufën ka qenë për periudhën e studimit që ky institucion ka ndërmarrë duke përfshirë si objekt edhe atë pas nëntorit të vitit 1944. Instituti e lidhi këtë studim me faktin se cilësohen këtë periudhë ku janë kryer shumë krime dhe një luftë mes partizanëve dhe forcave nacionaliste.

Agron Tufa duke raportuar në Kuvend gjatë një seance parlamentare mbi punën e Institutit që drejtonte, ISKPK. Gazeta “Si” 23 mars 2020


Kjo është kundërshtuar ashpër nga mazhoranca që ia ka “mbyllur derën” Institutit, duke mos e lejuar që të realizojë një studim të tillë, duke ndryshuar menjëherë ligjin, ku një ndër nga iniciatorët e kësaj nismeje ishte edhe vetë deputeti socialist Braho. Por ky ndryshim ka sjellë gjithashtu edhe bllokimin e botimeve, për të cilat Instituti kishte nisur punë për këtë periudhë të para luftës, duke realizuar kështu edhe ndryshimin e planit të botimeve.
“Tre nga titujt e librave të kolanës janë ndryshuar në mesin e muajit Shtator 2019 si rezultat i procesit të amendimit të ligjit të ISKK nga ana e Kuvendit, konkretisht Nenit 31 shkronja 1 mbi përcaktimin e objektit të studimit për ISKK të “periudhës së sistemit komunist”, pasi në kolanën e parashikuar të botimeve bënin pjesë libra që preknin periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare ose atë para vitit 1944. Si rezultat, në përputhje me zhvillimet e fundit parlamentare, u desh që këto 3 tituj, libra të zëvendësoheshin me 3 tituj, libra të tjerë, për të cilët u nevojit përsëritje e gjithë procesit të vlerësimit të dorëshkrimeve për botim, meqenëse dorëshkrimet vlerësohen në grup, dhe i gjithë riciklimi i procesit mori kohë plus, siç mori kohë plus edhe procesi i punës përzgjedhëse, dhe përgatitjes për shtyp”, thuhet në këtë raport.
Kjo situatë, sipas raportit, çoi që miratimi përfundimtar i 16 librave të Kolanës për vitin 2019 të vonohej në kohë, duke përfunduar nga Këshilli Shkencor dhe Bordi Drejtues vetëm në datën 18 tetor të vitit të kaluar. Një nga aktivitetet e planifikuar për në muajin dhjetor 2019, ishte një ëorkshop trajnimi, i cili nuk arriti të realizohej për shkak të bllokimit të fondit nga situata emergjente e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë