Futboll

Volfsburgu i kthehet stërvitjes, gjermanët: Të papërgjegjshëm!

Bundesliga duhet të kthehet në fushë më 2 prill, por shtyrja duket e sigurt. Megjithatë, ekipi i Volfsburgut ka vendosur të rinisë punën me një stërvitje speciale në “Volkswagen Arena”, duke krijuar shumë konfuzion dhe shumë polemika.

“Me situatën aktuale, Bundesliga më 12 prill duhet të nisë, – ka shpjeguar administratori i deleguar, Jorg Shmadtke. – Edhe pse nuk duket diçka reale, duhet të përgatitemi në një farë mënyre”. Vendimi i fundit e ka pezulluar Bundesligën deri më 2 prill, por është evidente se shumë shpejt rifillimi i aktiviteteve do të shtyhet. Për këtë arsye, të gjithë në rrjetet sociale e kanë kritikuar ekipin e Volfsburgut: “Ju duket e përgjegjshme kjo që po bëni? Duhet të jepni shembullin e duhur”, – ishin reagimet në rrjetet sociale.

Për shkak të Koronavirusit, Volfsburgu ka marrë masa sigurie për stërvitjen e paradites së sotme. Ekipi ka dalë në fushë pas një jave pushim të sforcuar. Lojtarët janë takuar në “Volkswagen Arena”, qendra sportive e klubit, ku përfshihet edhe stadiumi. Para se të hynin në klub, lojtarëve u është matur temperatura. Për të evituar kontaktin e afërt, stafi e ka bërë mbledhjen teknike në fushë dhe jo në dhomat e zhveshjes. Më pas, skuadra u nda në katër grupe, ndërsa puna në palestër është zhvilluar me turne, ndërkohë që pajisjet ishin nxjerrë jashtë.

Është pezulluar seanca atletike dhe nuk janë bërë ushtrime me topin gjatë stërvitjes së parë. Për të ulur rrezikun e infektimit, çdo lojtar ka dezifenktuar dushin që ishte përdorur më parë nga një tjetër lojtar. Gjithsesi, këto masa nuk e kanë ulur irritimin në rrjetet sociale, sepse stërvitja në këtë kohë thjesht dhe vetëm shton rrezikun e përhapjes së virusit te qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë