Presidenti Ilir Meta bëri të ditur se brenda dy ditëve do të mbledhë Këshillin e Sigurisë për të diskutuar masat e marra nga ana e qeverisë për parandalimin e koronavirusit. Këtë qëndrim kreu i shtetit e mbajti gjatë një interviste në emisionin “Open” në Top Channel.
“Do të mbledh pas dy ditësh këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do të ftoj edhe Lulzim Bashën. Qasja do të jetë gjithëpërfshirëse. Duhet të jemi bashkë dhe të mos nxjerrim përfitime politike”, tha Meta.
Presidenti Ilir Meta është pyetur për një tryezë të përbashkët me të gjithë aktorët politikë në vend për të dhënë një mesazh për qytetarët në këtë periudhë të vështirë si pasojë e pandemisë së koronavirusit. “Këto mesazhe janë dhënë. Angazhimi i opozitës ka qenë maksimal dhe i të gjithë aktorëve të tjerë. Pa dyshim mund të jetë e nevojshme dhe do të ketë besoj edhe zhvillime të tilla në interes jo thjesht të dhënies së një mesazhi vizual, por për të bërë një vlerësim të situatës ku jemi dhe për të patur një perspektivë më të qartë sipas të gjithë skenarëve qoftë pandemia, qoftë edhe situata ekonomike që ka pasojat e saj”, tha Meta.
Kreu i shtetit vlerësoi masat e marra nga ana qeverisë dhe se kërkoi një bashkëpunim mes palëve. Meta theksoi se ka patur komunikim me qeverinë për të gjithë hapat e ndërmarrë për frenimin e përhapjes së COVID-19. “Rëndësi ka që qeveria doli me një plan masash për ekonominë. Edhe opozita është treguar e përgjegjshme. Qeveria ka implementuar disa propozime të qeverisë. Unë shoh se po punohet për një interes të përbashkët”, tha presidenti.
Nëse kjo gjë pranohet, do të jetë hera e parë që Rama dhe Basha mund të ulen në një tryezë, pas një situate të tensionuar politike dhe ku palët kanë pasur qëndrime të ndryshme sa i përket marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Presidenti zbardhi edhe takimin që pati sot me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. “Është një takim normal në kuadër të takimeve të vazhdueshme që bëjmë. Ndihma e tyre nuk na ka munguar, në çdo kohë. Biseduam edhe për koronavirusin. Është momenti që të ndihmojmë më shumë veten”, tha Meta.
“Shqipëria i ka përgjegjësitë dhe kapacitetet për të përballuar koronavirusin. Të bëhen më shumë testime, për kontaktet e të konfirmuarve pozitiv. Të mos nënvletësohet”, tha Meta.
Ndërkohë që numri i personave të infektuar me koronavirus po rritet, kreu i shtetit Ilir Meta kërkon nga autoritet shëndetësore që të mos kursehen në bërjen e testeve.Po ashtu Presidenti tha se duhet më shumë masa mbrojtëse për personelin mjekësor. “Nuk duhet të krijojmë një frymë fataliteti por një frymë ndërgjegjësimi. Ne mund t’ia dalim dhe do t’ia dalim. Me rendësi është të mbrojmë murin e shoqërisë sonë që përballet në vijën e parë me këtë virus, që janë mjeket dhe infermieret. Kjo është kryesore dhe vendimtare. Se dyti të bëjmë sa më shume testime dhe për të gjithë ata që rezultojnë pozitive të rrisim nivelin e gjurmuesmërisë se kontakteve të tyre. Nuk kemi asnjë arsye të jemi të kursyer për testimet. Vendimtare në këtë beteje është mbështetja për mjeket, për infermieret, për sanitarët dhe personelin mbështetës. Dhe paketa e qeverise synon në radhë të parë të shtojë fondet për shëndetësinë”, tha kreu i shtetit në një intervistë për emisionin “Open”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje