Politike

Meta, Rama dhe Basha bëhen bashkë në mesditë

Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i thirrur nga Presidenti Ilir Meta për të diskutuar mbi emergjencën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, që ka prekur edhe Shqipërinë do të mblidhet në mesditë.

Si Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e kanë konfirmuar praninë në këtë mbledhje, por mbetet e paqartë formati i takimit, nëse ai do të zhvillohet siç ka propozuar Presidenti Meta përmes një takimi fizik në Pallatin e Brigadave, apo do të zhvillohet në “online”, siç gazeta “Si” mësoi ditën e hënë nga burime të Presidencës.

Vetë Presidenti Ilir Meta e përjashtoi mundësinë që takimit të jetë “online”, pra në distancë. Në një intervistë dhe për emisionin “Përballë” në RTSH, kreu i shtetit tha se për situatën është i nevojshëm takimi fizik, duke respektuar distancat për mospërhapjen e koronavirusit.

Pak para mesnatës, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi i Qeverisë që shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e vendit për shkak të pandemisë së koronavirusit, që ka shkaktuar 5 viktima dhe ka prekur 123 persona të tjerë.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë. Sipas këtij vendimi, Komiteti Ndërministror i ngritur pas shpalljes së fatkeqësisë natyrore pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar do të jetë jetë sërish organi më i lartë i koordinimit dhe bashkërëndimit të punës mes institucioneve shtetërore. Ky organ drejtohet nga Arben Ahmetaj.

Partia Demokratike e përshëndeti këtë vendim dhe thotë se duhet të vijohet pa humbur kohë me plotësimin e masave për komensimin e dëmëve dhe procedurave të tjera për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Akti i shpalljes së masës së jashtëzakonshme duhet plotësuar pa humbur më asnjë ditë nga Qeveria me vendimin për masat e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe dëmet dhe subjektet që kompensohen. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, është detyrim i shtetit shqiptar të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie”, thuhet në deklaratën e PD.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi pesë ditë më parë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, që sipas tij ishte një mekanizëm që do ta detyrojë Qeverinë që të plotësojë pa vonesa nevojat jetike të qytetarëve dhe të sipërmarrjes në vështirësi.

Edhe Presidenti Ilir Meta kërkoi ditën e hënë që masat shtrënguese të kufizimit të lëvizjes së njerëzve të përputhen me Kushtetutën, duke nënkuptuar se qeveria duhet të shpallte gjendjen e fatkeqësisë natyrore, ose gjendjen e jashtëzakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë