Futboll

Franca vajton Mishel Hidalgon, profetin e “futbollit shampanjë”

“Futbolli shampanjë”. Është një shprehje që bëri epokë dhe që mbetet gjithmonë e lidhur me emrin e Mishel Hidalgos, i ndarë sot nga jeta në moshën 87-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ndarja nga jeta e ish-trajnerit të njohur francez, nuk ka lidhje me pandeminë e Koronavirusit.

Momenti i artë i karrierës si trajner i Hidalgos i përket gjysmës së parë të viteve ‘80, kur ai drejtoi kombëtaren e Francës. Me të në stol, Franca arriti së pari deri në gjysmëfinale të Botërorit të Spanjës në vitin 1982. Këtë kompeticion francezët e mbyllën në vend të katërt, ndërsa dy vite më pas fituar Europianin.

Franca feston fitimin e Europianit të 1984-ës me Hidalgon në stol. Gazeta Si, 26 mars 2020

Europiani i 1984-ës u zhvillua pikërisht në Francë dhe skuadra e trajnerit Hidalgo u dhuroi jo vetëm trofeun vendësve, por edhe një lojë brilante. Ishte një lojë me ritëm, e pëlqyer shumë nga publiku dhe e orientuar gjithmonë drejt sulmit, ndaj dhe u pagëzua me “futbolli shampanjë”. Në ato vite Franca kishte në përbërje yje si Mishel Platini, Zhires, Tigana dhe Fernandes, të cilët dhanë një kontribut të madh.

I rritur në Normandi, Hidalgo ka qenë një mesfushor me kualitet, kampion i Francës me Reims në vitin 1955, ndërsa një vit më pas shkoi deri në finale të Kupës së Kampioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë