Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka për paracaktim të fituesit në një tender me vlerë 1.5 mln euro për furnizimin me ushqime të rezervave të shtetit.
“Në Shqipëri ka 35.099 kompani, të cilat merren me tregtimin e mallrave ushqimorë, por Edi Rama dhe Olta Xhaçka, pritën 1 muaj që kompania që ata kanë zgjedhur për të ndarë paratë, të ndryshonte objektin. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, nën drejtimin e Edi Ramës ka zhvilluar më datë 25 Mars 2020 një tender urgjent për “blerje paketa ndihme për familjet në nevojë dhe materiale mbrojtëse në mbështetje të personelit të Forcave të Armatosura të angazhuar në përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rënia e pandemisë së virusit COVID – 19”, me vlerë rreth 1.5 milion Euro”, deklaroi ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj shkon më tej duke deklaruar se kompania në fjalë ka ndryshuar objektin e aktivitetit të saj, duke përfshirë edhe fushën e ushqimoreve vetëm 6 ditë para se të hidhej tenderi. Tenderi, sipas tij, është pëërcaktuar pa garë dhe me një ofertë të vetme, ndërsa shton se kompania nuk plotëson kriterin e përvojës në fushën e tregtimit të ushqimeve.
Kriteri i vetëm i vendosur nga Ministria për kompaninë fituese ishin kontratat për ekzekutimin e furnizimeve të ngjashme, të kryera gjatë tri viteve të fundit, në një vlerë jo më të ulët se 40% e vlerës së përllogaritur të tenderit. Kompania që keni vendosur të ndani plot 1.5 milion euro, a e ka eksperiencën e nevojshme në fushën e tregtimit të ushqimeve? Sa muaj apo vite eksperiencë ka? Si e gjetët këtë kompani për t’i dërguar ftesë për ofertë për blerjen e ushqimeve pa garë dhe pa shpallje publike?”, tha Alibeaj.
PD: Shpërndarje selektive e ndihmave. Rezervat e shtetit janë bosh
Partia Demokratike akuzon Qeverinë edhe për shpërndarje selektive të ndihmave për qytetarët në nevojë dhe se gënjen kur thotë se rezervat e shtetit kanë ushqime dhe materiale të tjera jetike për 3 muaj.
“Shpërndarje e ndihmave selektive, propagandë me rezervat e shtetit se ka furnizime për 3 muaj me ushqim. Të dashur qytetarë, rezervat kanë zero ushqime për ju, sepse aty nuk u duhet fare nëse e keni plot apo bosh frigoriferin. Nëse keni ilaçe apo jo. E kanë mendjen si të vjedhin dhe si të ndajnë paratë tuaja me miqtë dhe oligarkët. Ju jeni pa bukë dhe Edi Rama dhe Olta Xhaçka sapo dhanë një tender 1.5 mln euro”, deklaroi ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj ngre disa pyetje në lidhje me tenderin e hedhur nga Qeveria për blerjen e ushqimeve.
“Pse u vonua me një muaj tenderi për blerjen e ushqimeve? Si u përzgjodh kompania fituese? Kush e fitoi tenderin?”, tha ai.
Ish-deputeti demokrat e mbylli deklaratën duke thënë se këto pyetje kërkojnë përgjigje nga “Alo Qeveria”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje