Politike

PD çon në SPAK 6 akuza ndaj Xhaçkës, ministrja: Sajesa sipas modelit ‘Babale’

Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal ndaj ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe kompanive pjesëmarrëse në tenderin e ushqimeve për “koordinim kriminal për vjedhjen dhe grabitjen e fondeve publike”.

Ndër personat e kallëzuar janë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes, shoqëria “EUROVIA” shpknj, me administrator Emir Shefitin dhe shoqëria “XPERT SYSTEMS” sh.p.k., me administrator Renald Gova.

P D ththotë se gjashtë janë veprat penale të konsumuara në tenderin 1.5 mln euro, që sipas ka qenë i paracaktuar dhe korruptiv. Akuzat janë “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.

Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi thuhet se Ministria e Mbrojtjes duhet të argumentonte dhe të dokumentonte përzgjedhjen e kandidatëve që ka ftuar në këtë procedurë pa garë.

“Rezulton e provuar në dokumentet e tenderit, se ndryshe nga sa detyron ligji, mungon argumentimi se përse janë ftuar kompanitë e shpallura fituese “EUROVIA” shpknj dhe shoqëria XPERT SYSTEMS sh.p.k., në kushtet ku asnjëra prej tyre nuk është e specializuar në fushën e objektit të prokurimit, por kanë bërë shtimin e objektit të veprimtarisë vetëm disa ditë përpara hapjes së procedurës së prokurimit”, thotë PD.

Në kallëzim, PD thotë gjithashtu se kompania fituese e tenderit, Eurovia nuk përmbush kriterin ligjor të përvojës së ngjashme në fushën e furnizimit me produkte ushqimore.

“Kjo kompani ka shtuar në objektin e veprimtarisë së saj “tregtimin e ushqimeve”, vetëm 6 ditë përpara se të shpallej tenderi dhe për pasojë nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore”, thotë PD.

Selia Blu është e bindur se në këtë tender ka një shkelje flagrante, që provohet nga përgjigja për dy pyetje të thjeshta.

“Si e identifikoi Ministria e Mbrojtjes kompaninë EUROVIA, për t’i dërguar ftesën për ofertë në një tender pa garë dhe me negocim të drejtëpërdrejtë? Çfarë ekperience kishte kjo kompani kompjuterash në tregun e shitjes së ushqimeve, që u përfshi në listën e kompanive që duhet t’i dërgohej ftesa për ofertë?”, thuhet në kallëzimin e PD.

Sipas kallëzimit të Partisë Demokratike, në rastin konkret jemi përpara veprimeve në kundërshtim me ligjin, për shkak se nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i është dërguar “Ftesë për Ofertë” kompanive që nuk janë të specializuara në ofrimin e këtyre mallrave dhe janë pranuar dhe marrë në dorëzim mallra dhe furnizime për të cilat këto subjekte nuk plotësonin kriteret ligjore për ti furnizuar.

“Fakti që kompania EUROVIA ka ndërmarrë veprime konkrete për të qënë pjesë e këtij prokurimi, vetëm 6 ditë përpara se ky i fundit të shpallej, tregon që ata kane pasur informcion paraprak, si dhe kanë qënë në dijeni që do të shpalleshin fitues, duke bashkëpunuar kështu me zyrtarët publikë”, vijon kallëzimi.

PD thotë se fakti që këto prokurime korruptive kryhen në emër të një pandemie të rëndë që ka pllakosur globin, e bën edhe më të rëndë koordinimin kriminal të personave të paditur më qëllimin e vjedhjen dhe grabitjen e fondeve publike. “Fakti që për 15 ditë nuk morën asnjë masë për t’u furnizuar me këto produkte, provon qëllimin kriminal për paracaktimin e fituesit të këtij tenderi”, thotë opozita.

Xhaçka: Sajesë sipas modelit Babale

Olta Xhaçka i kërkon SPAK-ut që të hetojë me përparësi padinë e dorëzuar nga Partia Demokratike. E bindur në pafajësi, ministrja e Mbrojtjes deklaron se qytetarët sot kanë shumë nevojë për qartësi.

“I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales”, thotë Xhaçka.

Ajo akuzon opozitën se në vend të kontributit për t’u përballur me pandeminë, ajo po sajon akuza sipas modelit “Babale”.

“PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion. Por është po aq e ulët e imorale në qoftë se opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashkët për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm!”, deklaron ministrja e Mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë