Trajneri Jurgen Klop është një nga ata që kanë dalë më shpesh publikisht në frontin e respektit për masat e marra ndaj koronavirusit. Kapiteni Xhordan Henderson ka qenë promotor i iniciativave për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar spitalet. Liverpuli është një qytet i kuq jo vetëm në fanellë, por edhe në shpirt. Por vendimi i fundit i klubit anglez ka bërë të shpërthejnë polemikat menjëherë.
Drejtuesit e Liverpulit kanë vendosur të shfrytëzojnë ndihmën sociale, konkretisht mbulimin 80% të pagës së punonjësve nga qeveria angleze, për të paguar pjesën tjetër prej 20%. Këtu përjashtohen sigurisht stafi teknik dhe futbollistët, pra bëhet fjalë për punonjësit e administratës.
Në teori, punonjësit e Liverpulit nuk do të humbin asnjë qindarkë, por vendimi në fjalë në realitet nuk mund të kalonte në heshtje, aq më tepër kur ndihmë ekonomike kërkon një klub që ka regjistruar një shifër rekord të ardhurash në sezonin 2018-2019, 605 milionë euro, ndërkohë që mban vendin e tretë në Premeir League për fondin e pagave, me 128.62 milionë. Në përgjithësi të gjithë treguesit janë rritur dhe nuk mungojnë burimet financiare për të mbuluar pagat e punonjësve. Megjithatë, “Fenway Sports Group” e amerikanit Xhon Henri, pronarit të Liverpulit, ka zgjedhur këtë rrugë.

Reagimet kanë qenë të forta. Ish-mbrojtësi dhe ish-kapiteni Xhimi Karrager, aktualisht opinionist, ka sulmuar direkt ish-ekipin: “Klop u impenjua shumë ditët e para të pandemisë, lojtarët kanë marrë iniciativa solidariteti, por ky vendim i drejtuesve e humb gjithë respektin që kanë fituar”, – ka thënë ai. Edhe ish-mesfushori gjerman, Ditmar Haman, ka qenë kritik në profilin e tij në Tuiter, ku shkruan: “Jam shtangur nga lajmi që Liverpuli ka vendosur të kërkojë nga qeveria mbulimin 80% të pagës së punonjësve. Skema e qeverisë nuk është për këtë gjë. Ky vendim i klubit është kundër historisë dhe kundër principeve të Liverpulit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje