Pas një sëmundje të gjatë, është shuar në moshën 71-vjeçare Radomir Antiç, ish-futbollisti dhe trajneri serb, që në Spanjë kishte gjetur atdheun e dytë. Ai është një ndër trajnerët e rrallë që ka drejtuar tri skuadrat më të madha spanjolle, Real Madrid, Atletiko Madrid dhe Barcelonën. Lajmin e ka dhënë i pari klubi i Atletiko Madridit, më të cilin Antiç ishte më i lidhur, pasi aty kishte arritur triumfin më të madh, “dopietën” në vitin 1996.
Antiç ka qenë mbrojtës dhe e ka nisur karrierën te Slloboda Uzhice në Serbi, për të kaluar te Partizani i Beogradit, ku ka fituar titullin kampion të Jugosllavisë në 1976-ën. Pak ndeshje me kombëtaren dhe pastaj një karrierë e vazhduar jashtë vendit, një vit te Fenerbahçe, ku fitoi titullin në Turqi, më pas Real Saragoza dhe Luton Taun.
Pasi la futbollin e luajtur në 1984-ën, Antiç u kthye në shtëpi dhe mori drejtimin e Partizanit, duke fituar 2 tituj në 2 vitet e para. U kthye pastaj te Saragoza në Spanjë, ku qëndroi pa ndërprerje 20 vjet. Pasi e çoi Saragozën në UEFA në 1990-ën, zëvendësoi Di Stefanon në stolin e Real Madrid dhe e çoi këtë ekip në vend të tretë. Sezonin 91-92 u shkarkua në fund të fazës së parë, por e la Realin në vend të parë.

Pas një trevjeçari të shkëlqyer tek Oviedo, Antiç u thirr sërish në Madrid, por këtë herë nga Jesus Gil, presidenti i Atletikos. Në sezonin 95-96, i pari me Atletikon, fitoi titullin dhe Kupën, duke hyrë në “hall of fame” të “los colchoneros”. Qëndroi tek Atletiko deri në vitin 1988, por më pas u thirr edhe dy herë të tjera për të shpëtuar ekipin. Ia doli në 1999-ën, por jo në 2000-shin, kur Atletiko ra në Segunda për shkak të problemeve me drejtësinë të presidentit Jesus Gil.
Pas një kalimi tjetër tek Oviedo, Barcelona e mori për të zëvendësuar në mes të sezonit holandezin Luis van Gal, me katalanasit 3 pikë larg zonës së rënies. Antiç pati sukses, por në fundit të sezonit 2003 Barcelona kishte zgjedhjet dhe fitoi Joan Laporta, i cili kishte ide të tjera. Antiç shkoi te Selta Vigo dhe në 2008-ën mori drejtimin e kombëtares serbe dhe e çoi atë në Botërorin e Afrikës së Jugut. Antiç ishte kthyer në Spanjë pas disa përvojave në Kinë. Së fundi ka punuar për “Cadena Cope” si opinionist.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje