Partia Demokratike i ka kërkuar SPAK dhe KLSH verifikimin e aktit nënligjor të shpalljes sekret shtetëror të katër tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Përmes ish-deputetit Enkeled Alibeaj, PD kërkon nga kryeministri Rama t’u thotë shqiptarëve sa lekë u shpenzuan për aktin antiligjor dhe çfarë po fsheh me vendimin për të klasifikuar këto tendera si sekret shtetëror.
“Blerja e mjeteve mbrojtëse për mjekët, pasi u zbulua skandali i maskave të skaduar, e aparateve respiratorë dhe e kiteve për testim gati 1 muaj pas identifikimit të rastit të parë me COVID-19 është bërë me procedurë sekrete. Duket e pabesueshme por me procedurë “sekret shtetëror” është bërë edhe tenderi për trajtimin e mbetjeve spitalore. Pse janë klasifikuar sekret shtetëror këto tendera? Cfarë fshihet pas tyre? Në vend që të bëjë transparencë, qeveria hesht”, shprehet Alibeaj.
Ish-deputeti Alibeaj thotë se një kompani antenash televizive, pa përvojë në fushën e shëndetësisë është një nga fituesit e tenderave të shpallur sekret.
“Një kompani antenash televizive, pa përvojë në fushën e shëndetësisë, është një nga fituesit e tenderave të shpallur sekret. KLSH dhe SPAK duhet të verifikojnë, të hetojnë dhe të çojnë para drejtësisë këdo që vjedh paratë e shqiptarëve ne ditën më të vështirë”, u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, “TBS 96” është e njëjta kompani që u përdor për shitjen e dekoderave për qytetarët me përkrahje sociale dhe që vetëm para pak kohësh ka shtuar si aktivitet të saj materialet dhe pajisjet mjekësore.
Ndër të tjera, Alibeaj thotë se “për SPAK-un e sapokrijuar për të luftuar korrupsionin është e pafalshme heshtja apo infektimi nga virusi i kontrollit prej kryeministrit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje