Merkatoja duket ende larg në këtë kohë pandemie, por disa pista janë të nxehta që tani dhe një prej tyre është ajo e sulmuesit Lautaro Martinez. Interi, klubi i tij aktual, duhet të marrë masat, sepse për argjentinasin janë gati të bëjnë çmenduri në Spanjë dhe Angli. “Lautaro luan tek Interi, por më besoni, me siguri do të shkojë në Spanjë”, – thotë për “Fox Sports” Serxho Zarate, një nga njerëzit më të afërt të sulmuesit. Fjalët e tij me siguri nuk t’u pëlqejnë tifozëve të Interit, edhe pse janë të mësuar tashmë me zërat për largimin Lautaros.
Barcelona është në “pole position” për sulmuesin argjentinas, për të formuar dyshen sulmuese me Mesin, por tashmë në garë është futur shumë seriozisht edhe Mançester Siti, që ka shprehur gatishmërinë për t’i blerë kartonin lojtarit të Interit. “Lautaro është një lojtar i madh, – vazhdon Zarate në lidhje me interesimin e Barcelonës. – Në fund vendos lojtari dhe duke qenë se mund të luajë me Mesin, Lautaro ka shumë mundësi të zgjedhë të jetë përkrah tij”. Një replikë edhe ndaj Havier Zanetit, i cili së fundi ka thënë se e ardhmja e Lautaros është vetëm zikaltër: “Interi mund të dojë çdo gjë, por, si gjithmonë, komandon merkatoja. Gjigantët e Europës, kur duan një lojtar, e marrin atë”, – thekson Zarate.

Pas këtyre fjalëve ka ardhur reagimi i Beto Yaque, agjentit të Lautaro Martinezit, i cili për “SOS Fanta”, ka sqaruar: “Komentet e Serxho Zarate duhen marrë si të një personi që është afër Lautaros prej shumë vitesh, por nuk është prokuratori i sulmuesit”. Prokuratorë të futbollistit argjentinas janë Yaque dhe Rolando Zarate, vëllai i Serxho Zarates.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje