Rend dhe Ligj

Lokale të hapura, procedohen 5 shtetas në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

Policia vijon kontrollet në të gjithë territorin, për ndëshkimin e administratorëve të lokaleve dhe të njësive të tjera tregtare që vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin dhe ka proceduar 5 shtetas në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Policia thotë se në Durrës ka konstatuar për herë të dytë në lagjen 12, shtetasin N. K., i cili ushtronte aktivitetin. Sipas policisë, ky shtetas ishte konstatuar nga Patrulla e Përgjithshme edhe më datë 7 prill, duke ushtruar aktivitetin e berberit në mënyrë të paligjshme dhe ndaj tij është marrë masa e pezullimit të aktivitetit për 6 muaj.

Ndërsa, në Tiranë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H. dhe D. K., të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”. Këta shtetas janë proceduar penalisht, pasi në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasi E. H. është kapur duke tregtuar maska dhe doreza pa faturë tatimore, të cilat ia kishte dhënë për t’i shitur shtetasit D. K.

Ndërkohë, në Elbasan është proceduar penalisht, për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi Z. Ç., banues në Elbasan, pasi në lagjen “Aqif Pasha”, mbante hapur lokalin “Bar-Kafe” dhe brenda u gjetën disa persona që pinin kafe.

Po në Elbasan është proceduar penalisht dhe administrativisht shtetasi D. P., banues në Elbasan, pasi u kap duke ushtruar i papajisur me licencë, aktivitetin në lokalin e tij “Bar-Kafe”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë