Kuvendi do të mblidhet këtë të enjte, ku në rend të ditës ka shqyrtimin e akteve normative të Qeverisë për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit dhe dy dekretet e Presidentit Ilir Meta, që ka kthyer për shqyrtim ligjin anti-KÇK dhe ligjin për pronësinë.
Seanca e thirrur në një kohë të pazakontë pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve javën e kaluar do të zhvillohet në mënyrë të pazakontë. Si fillim, deputetët do t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor dhe do të pajisen me dorashka dhe maska para se të hyjnë në sallë dhe më pas brenda sallës do të hiqet dorë nga ulja tradicionale e tyre dhe i gjithë ambienti i sallës së seancave plenare do të shfrytëzohet prej tyre.
Për të respektuar distancat e sigurisë, brenda në sallë do të lejohen veç deputetët, anëtarët e kabinetit qeveritar dhe një grupi të vogël punonjësish të gardës. As mediat dhe as vizitorët e tjerë që zakonisht ulen në llozhet e Kuvendit nuk do të lejohen.
Në vend të tyre, këto hapësira do të shfrytëzohen nga deputetët, që do të shpërndahen veç sallës edhe në katin e dytë, në vendin e përcaktuar për mediat dhe në llozhat e Kuvendit. Votimi do të kryhet me karton dhe jo përmes sistemit elektronik.
Në rend të ditës janë tre aktet normative të Qeverisë me fuqinë e ligjit, dy që lidhen me marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, me anë të të cilave janë vendosur masat kufizuese në fuqi dhe akti i tretë që shtyn pagesat për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin deri më 20 tetor për tremujorët e parë dhe të dytë të këtij viti dhe deri më 20 dhjetor për tremujorët e tretë dhe të katërt.
Rendi i ditës fillon me draft-propozimin e deputetëve socialistë për të ndëhyrë në Kodin Penal, ku të parashikohet ndëshkimi deri me 15 vite burgim për personat e infektuar që shkelin karantinën e detyruar dhe rrezikojnë t’u marrin jetë qytetarëve të tjerë.
Në rend dite është gjithashtu edhe projektligji për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Akti në fjalë është propozim i Këshillit të Ministrave dhe në relacionin shoqërues thuhet se legjislacioni aktual nuk mbulon tërësisht spektrin e prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, ndërsa deklarohet se projektligji nuk ka kosto financiare shtesë.
Veç këtyre, Kuvendi pritet që të diskutojë edhe ndryshimin e rregullores. Rregullorja në fuqi nuk lejon zhvillimin e seancave plenare online. Aktualisht, vetëm Komisionet parlamentare janë duke zhvilluar mbledhjet në distancë, duke shfrytëzuar teknologjinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje