Futboll

Instituti i Shëndetit kundër rikthimit të futbollit, shpërthen Lacio

Në Itali ka mendime të ndryshme sa i takon rinisjes së kampionatit të futbollit. Drejtori i departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetësisë, Xhovani Reca, njëkohësisht edhe pjesëtar i komitetit shkencor, është shprehur kundër rikthimit në fushë, duke shkaktuar zemërim të thellë te Lacio. Edhe Liga insiston për mbylljen e kampionateve në fushë.

Në konferencën e fundit të mbrojtjes civile në Itali është folur edhe për futbollin, saktësisht për rifillimin e mundshëm të ndeshjeve. Reca e ka nisur me një batutë: “Jam romanist dhe do doja të mbyllja gjithçka këtu”. Pastaj ai ka hyrë në thelbin e çështjes: “Futbolli është një sport kontakti dhe paraqet rrezik transmetimi të virusit. Dikush ka propozuar një monitorim të rreptë të futbollistëve, me teste thuajse të përditshme, por më duket një hipotezë e pamundur. Pastaj, po i afrohemi muajit maj. Komiteti shkencor nuk është shprehur ende, por personalisht mendoj se futbolli nuk duhet të rinisë. Vendos qeveria dhe besoj se do të jetë një vendim i vështirë, duke parë situatën”.

Xhovani Reca, drejtori i Institutit të Shëndetit në Itali. Gazeta Si, 14 prill 2020

Duke parë protestat e klubeve, sidomos të Lacios, duke nisur nga përgjegjësi i komunikimit Diakonale (bëj shkencëtarin dhe jo tifozin), profesor Reca u kthye te fjalët e tij si romanist, duke sqaruar se ishte vetëm një batutë për vetëm për të çdramatizuar situatën. Edhe për përfaqësuesin e Organizatës Botërore të Shëndetit në Itali, Ranieri Guerra, rifillimi i kampionatit është gati i pamundur. “Rikthim në fushë në maj? Po bëhet një vlerësim i situatës, por rreziku mbetet i madh. Duhet të gjejmë instrumentet për të pasur siguri jete jo vetëm për futbollistët, por për të gjithë njerëzit. Ndeshje me shumë tifozë as që bëhet fjalë. Duhet të kemi siguri dhe për këtë po punojmë”, – tha Guerra.

Në gjithë këtë situatë, klubi i Lacios së Tares dhe Strakoshës është kundër. Lacio kërkon që kampionati të luhet në fushë për të shpallur ekipin kampion. Pretendimet e drejtuesve lacialë janë se po favorizohet Juventusi në këtë rast, pasi ky klub, nëse do të rifillonin ndeshjet, do të kishte probleme me lojtarët e huaj, që nuk kanë qenë në Itali këtë periudhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë