Ndryshimet e propozuara nga socialistët në Kodin Penal, që vendosin dhe ashpërsojnë ndjeshëm ndëshkimet me burg për shkeljen e karantinës pritet që të jenë një temë e nxehtë në diskutimet që Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të zhvillojë këtë të mërkurë.
Mbledhja e Këshillit është thirrur për të dytën herë brenda harkut kohor të një muaji nga Presidenti Ilir Meta dhe konfirmimin për praninë në këtë mbledhje online e kanë dhënë Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Rama mbështet idenë që parashikimet dhe ashpërsimi i masave ndëshkimore për ndalimin e përhapjes së epidemive të përfshihen në Kodin Penal. Përmes një reagimi në rrjetet sociale Kryeministri iu kundërvu një reagimi të mbi 30 shoqatave të shoqërisë civile, që kërkonin nga Kuvendi mosmiratimin e tyre me argumentin se shkelnin liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Ndërkohë, me një gjuhë me diplomatike, Presidenti Ilir Meta ka kërkuar kujdes dhe gjetjen e një balance mes domosdoshmërisë për të aplikuar masa kufizuese dhe ndëshkimore për shkelësit e këtyre masave nga njëra anë dhe nevojës për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nga ana tjetër.
Një tjetër temë që mund të ngjallë debat është edhe paketa e ndihmës financiare të Qeverisë për qytetarët dhe bizneset në këtë periudhë të vështirë për të gjithë. Kryeministri Rama prezantoi këtë javë zgjerimin e kësaj pakete. Por sërish, Lulzim Basha thotë se paketa është e pamjaftueshme dhe se në total shuma e planifikuar në kuadër të kësaj ndihme nuk shkon as 100 mln dollarë, ndërkohë që Kosova jep 170 mln dollarë.
Gazeta “Si” mëson se si Presidenca, ashtu edhe opozita kanë rezerva të qënësishme si për ndryshimet në Kodin Penal, ashtu edhe për paketën financiare, por edhe mbi vendimet dhe kohën e vendimeve të tjera të Qeverisë për përballimin e situatës.
Presidenca jopublikisht dhe opozita zyrtarisht e publikisht ndajnë qëndrimin se në fushën e sigurisë kombëtare dhe të përballimit me sukses të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit, masat e Qeverisë kanë qenë të vonuara dhe në një pjesë të mirë të tyre të cunguara, duke përjashtuar nga paketat e ndihmës dhe lehtësive qytetarë e biznese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje