Mbledhja e dytë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare bëri sërish bashkë në distancë Ilir Metën, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Takimi i zhvilluar përmes platformave online u thirr nga Presidenti për të diskutuar masat e ndërmarra nga Qeveria dhe shkëmbyer ide sesi mund të dilet nga kjo situatë.
Kryeministri Rama u shfaq i kënaqur në përfundim të takimit, që zgjati disa orë.
“Mbledhje e gjatë, por e dobishme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe një shkëmbim i hapur opinionesh me Presidentin e Republikës dhe kryetarin e PD për hapjen graduale të aktivitetit në javët në vijim! Sikur komunikimi publik të ishte kaq pozitiv, politika do të ishte shumë ndryshe”, shkroi Kryeministri në rrjetet sociale në përfundim të këtij takimi.
Në mbledhjen e zhvilluar përmes video-telefonatave të pranishëm ishin gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, gjithashtu anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Përfaqësuesit e Qeverisë kanë bërë një rezyme të situatës aktuale të pandemisë dhe masave që janë ndërmarrë e po ndërmerren për të përballuar pasojat ekonomike dhe sociale të tyre. Temë kanë qenë gjithashtu edhe ndryshimet në Kodin Penal, për të cilat gazeta “Si” mëson se si opozita, ashtu edhe Presidenca janë shfaqur me rezerva të moderuara mbi efektshmërinë e ashpërsimit të ndëshkimeve për shkelësit e karantinës.
Në vend të ashpërsimit të masave dhe ndëshkimit me burg, Presidenti Ilir Meta ka propozuar më shumë ndërgjegjësim të qytetarëve, transparencë, gjithëpërfshirje dhe frymë bashkëpunimi mes të gjitha palëve.
Nga ana e tij, Lulzim Basha ka ripërsëritur propozimet e bëra publike prej kohësh nga Partia Demokratike, për shtimin e fondeve në paketën e ndihmës financiare për qytetarët dhe bizneset në vështirësi dhe i kërkon Qeverisë një hartimin e një strategjie të qartë dhe transparente të rrugëdaljes nga situata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje