Rudina Hajdari akuzoi në Parlament Qeverinë se kishte braktisur qytetarët në këtë kohë krize. Ajo foli për mijëra persona që mezi po sigurojnë bukën e gojës për shkak të izolimit dhe tek të cilët nuk është ndjerë dora e ndihmës shtetërore.
Deputetja e grupit parlamentar demokrat doli edhe kundër propozimeve për ndryshime në Kodin Penal, duke i cilësuar ato antikushtetuese. Në fund të seancës, Kryeministri Edi Rama e shenjëstroi duke iu përgjigjur akuzave.
“Zonja Hajdari na drejtohet nga Hëna edhe në kushte normale, merreni me mend tani dhe në Hënë dhe në karantinë se sa lidhje me realitetin kanë fjalët e zonjës Hajdari! Se sa mendon ajo, sa pasoja mund të ketë për vendin tonë ky boshllëk në Kodin Penal në këtë kohë pandemia. Këtë zonja Hajdari nuk na e thotë. Ky propozim është i mbështetur gjerësisht, pavarësisht se nga Hëna ku banon zonja Hajdari nuk kemi një sinjal pozitiv. E përshëndes zonjën Hajdari për qëndrimin në Hënë dhe e sigurojë se ne do të vazhdojmë punën dhe do mbrojmë popullin shqiptar nga rreziqet që vijnë nga ky boshllëk që ne kemi në kodin tonë për këtë kohë”, deklaroi Rama.
Kjo deklaratë e Kryeministri i bë në fund të seancës, duke mos i dhënë mundësi deputetes demokrate që të reagonte. Por, ajo iu drejtua rrjeteve sociale për t’i kthyer përgjigje.
“Z. Rama sot më akuzoi se jetoj në Hënë. Në fakt atij ka kohë që hënë i duket e gjithë Shqipëria sepse është izoluar në anijen e tij kozmike në Surrel dhe nuk sheh e nuk dëgjon se çfarë realisht ndodh në këtë vend. Nuk e sheh varfërinë që është shtuar, nuk e dëgjon dhimbjen e familjeve të përgjysmuara nga emigrimi, nuk e shikon papunësinë e as nuk do t’ia dijë për korrupsionin dhe arrogancën që po e shkaktojnë. Në anijen e tij kozmike prej betoni, ku rri me “kozmonautë” të tjerë, këto halle duket sikur i vijnë nga larg, shqiptarët i duken si alienë e ne që jetojmë mes tyre e flasim gjuhën e tyre, sikur jetojmë në Hënë. Keqardhje!”, shkruan ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje