Futboll

Mjekët sfidojnë Ligën në Spanjë: E pamundur të luhet futboll në verë

“Besoj se është e pamundur që ekipet e futbollit të kthehen në fushë këtë verë”, ka thënë gjatë një interviste për “Cadena Ser” drejtori i spitalit “Campo di Ifema”, Antonio Zapatero. Ai u bashkohet kështu zërit të ekspertëve që shprehen pesimistë sa i takon mundësisë së rikthimit të futbollit të luajtur në Spanjë, në këtë emergjencë nga koronavirusi.

Zapatero flet hapur, nuk e fsheh pesimizmin e tij, që në fakt është kundër vullnetit të Ligës dhe të Federatës Spanjolle të Futbollit për rikthimin në fushë. Më tej, mjeku Zapatero ka shpjeguar pse është e pamundur të ketë ndeshje në verë. “Testi nuk është zgjidhja. Zgjidhja vjen pas rezultatit të testit. Nëse zbulohet se një person nuk ka antitrupa, mund të preket nga virusi. Në periudhën asimptomatike, dy ditë e gjysmë para simptomave dhe deri ditën e nisjes së tyre, ngarkesa virale është maksimale dhe të mbash distancën në fushë është e pamundur. Të luash futboll në muajt e ardhshëm, për mua është e pamundur”, – ka sqaruar Zapatero.

Mjeku Antonio Zapatero. Gazeta Si, 17 prill 2020

Edhe pse Spanja është një nga vendet më të goditura nga koronavirusi, me një numër të lartë viktimash, drejtuesit e Ligës dhe të Federatës po bëjnë gjithçka për rinisjen e kampionateve dhe mbylljen e tyre në fushë, natyrisht, pa tifozë në stadiume. Megjithatë, zërat kundër po shtohen dhe për më tepër në këtë kategori bëjnë pjesë edhe specialistët e fushës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë