Rend dhe Ligj

Kultivonin bimë narkotike, dy të arrestuar në Mat

Policia e Matit ka vënë në pranga dy pjestarë të një grupi që merrej me kultivim të bimëve narkotike, një operacion i nisur që në nëntor të 2019-s.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit A. L., 42 vjeç dhe A. Gj., 39 vjeç, të dy banues në fshatin Baz, Mat, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat u ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Kutivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Në kuadër të këtij operacioni, më 12 nëntor 2019 janë arrestuar shtetasit R. T., 32 vjeç dhe N. T., 33 vjeç, banues në Ulëz, Mat.

Gjithashtu është bërë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për shtetasin M. Gj., 55 vjeç, banues në fshatin Baz, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e Burrelit, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Po më 12 nëntor është arrestuar edhe shtetasi M. Gj., për dhunë në familje, por pas hetimeve rezultoi se është pjesë e këtij grupi në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, dyshohet se janë autorë të disa rasteve të tentativës për të kultivuar bimë narkotike në zonat malore të Njësive Administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më parë nga Policia gjatë kontrolleve të territorit.

Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë