Gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur më 24 mars për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 dhe e miratuar më vonë nga Parlamenti zgjat deri më 24 prill. I pyetur nga ndjekësit në rrjetet sociale nëse kjo gjendje do të zgjatet përtej këtij afati, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj prerë që “po”.
Por, në komunikimin me rrjetet sociale Kryeministri Edi Rama nuk dha më shumë detaje. Ndërkohë, gazeta “Si” ka siguruar propozimin që Qeveria i ka dërguar Kuvendit për të zgjatur me 60 ditë të tjera gjendjen e fatkeqësisë natyrore, pra deri më 23 qershor.

Propozimi është i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i dërgohet Kuvendit për miratim. Gazeta “Si” mëson se Kuvendi mund ta miratojë zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në seancat e radhës, detajet dhe mënyrën e mbledhjes së të cilave mbeten për t’u përcaktuar, nisur nga fakti që në seancën e 16 prillit, deputetët miratuan ndryshimin e rregullores, që u mundëson mbajtjen e seancave plenare online.
Kjo është hera e parë që gjendja e jashtëzakonshme zgjatet në të gjithë territorin, por e treta radhazi për qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë, që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjendja e jashtëzakonshme në këtë qarqe u vendos pak ditë pas tragjedisë dhe më pas u zgjat nga Parlamenti me kërkesë të Qeverisë deri në fund të muajit mars.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje