Politike

Strategjia e hapjes, 3 skenarët e rikthimit në normalitet

Rikthimi në normalitetin që njihnim para se vendi të mbyllej për shkak të pandemisë së koronavirusit mund të kërkojë muaj, madje deri në vite kohë. Por, në përpjekjet e Qeverisë për të gjetur një ekuilibër mes masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së virusit dhe domosdoshmërisë së rikthimit të aktivitetit ekonomik e social një gjysmë normaliteti mund të mbërrijë brenda gjysmës së dytë të muajit maj.

Qeveria po diskuton strategjinë e rihapjes së vendit, ku si pikë referimi është strategjia e hapjes e miratuar nga Bashkimi Europian, ndërthurur me propozimet e Komitetit Teknik. Sipas kësaj strategjie, bizneset ndahen në tre nivele të ndryshme risku për përhapjen e koronavirusit.

Niveli i parë, që njihet si niveli jeshil, ose niveli me rrezikshmëri të ulët sa i përket përhapjes së koronavirusit përfshin të gjitha ato aktivitetet ku kontakti e komunikimi fizik me qytetarët është thelbësisht i ulët, e rrjedhimisht edhe mundësia e përhapjes së Covid-19.

Sipas kësaj strategjie, përmbajtjen e së cilës e ka siguruar Gazeta “Si”, Shqipëria që prej kësaj të hëne, pjesa më e madhe e bizneseve që bëjnë pjesë në këtë kategori ngrenë qepenat, por duke ndjekur një protokoll të përgjithshëm sigurie, që gjendet në të gjitha faqet zyrtare të Qeverisë, përfshirë këtu edhe e-Albanian.

Në këtë nivel janë klasifikuar bizneset që kanë një qarkullim të ulët fizikisht të klientëve në ambientet e tyre, si dyqanet artizanale, ose me natyrë të ngjashme sa i takon fluksit të klientëve.

Kategoria e dytë përfshin aktivitetin ekonomik që konsiderohet si “niveli i verdhë”. Në këtë kategori bëjnë pjesë sipërmarrje që vlerësohen me risk mesatar përhapjeje të virusit dhe ku kontakti dhe komunikimi me qytetarët është praktikisht i pashmangshëm. Sipas strategjisë së Qeverisë në këtë listë do të renditen aktivitete ku prania fizike e klientit është në pjesën më të madhe të rasteve e pashmangshme, por mund të shmanget grumbullimi masiv i tyre, si shërbimi taksi e të transportit rrugor, dyqanet e rrobave, apo aktivitete të ngjashme.

Të gjitha aktivitetet që përfshihen në kategori mund të fillojnë ofrimin e shërbimeve të tyre duke filluar që prej datës 27 prill, por përmes protokolleve të sigurisë specifike që po diskuton aktualisht Komiteti Teknik dhe nën vëzhgimin sporadik të një task force mjekësore dhe higjieno-sanitare, që Kryeministri Edi Rama tha se do të ngrihet brenda kësaj jave.

Misteret më të mëdha lidhen me kategorinë e tretë, ku përfshihen bizneset dhe aktivitetet ekonomike që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e koronavirusit, siç janë baret, restorantet dhe hotelet. Një datë konkrete për hapjen e aktiviteteve të kësaj kategoria nga qeveria nuk ta thonë as zyrtarisht dhe as jozyrtarisht.

Megjithatë, burime të Gazetës “Si” thonë se varianti më i mundshëm që po diskutohet lidhet ngushtësisht me zhvillimet që do të ndodhin në vendet e rajonit dhe në vendet e Bashkimit Europian. Pra, skenari për hapjen e bizneseve të kësaj kategorie është elastik dhe ai varet nga zhvillimet që do të ndodhin në BE dhe tek vendet fqinje.

Burimet thonë se janë dy variante që po diskutohen. I pari lidhet me hapjen e restoranteve dhe lokaleve në të gjithë territorin e vendit, por me kushte të forta si higjieno-sanitare, ashtu edhe sa i përket numrit të reduktuar të tavolinave, karrigeve dhe të klientëve që mund të presin njëkohësisht, ndërsa varianti i dytë është hapja e bareve, restoranteve dhe hoteleve vetëm në zonat kryesore turistike, duke respektuar

Të dy variantet, thonë burimet, lidhen ngushtësisht me ecurinë e kurbës së përhapjes së virusit në vendin tonë, por edhe me qëndrimin që do të ndjekin vendet e BE-së, që në strategjinë e përbashkët parashikohet që të hapet lëvizja e lirë në 10-ditëshin e fundit të muajit maj.

Nëse kurba e rasteve të reja në Shqipëri mbetet konstante në 2-3 javët në vazhdim, ndërsa vendet e BE-së dhe të rajonit do të rikthejnë lëvizjen e lirë, atëherë gjasat janë që zbatim të gjejë varianti i hapjes së këtyre shërbimeve me kontrolle të forta në zonat turistike dhe mbajtja mbyllur e tyre në zonat e tjera të vendit. Por, nëse kurba e rasteve të reja ulet ndjeshëm atëherë nuk përjashtohet skenari i hapjes së këtyre shërbimeve në të gjithë vendin.

Megjithatë, në të dyja rastet aktivitetet ekonomike të kësaj kategorie do të mbikëqyren periodikisht nga punonjës higjieno-sanitare dhe të sistemit të shëndetësisë për respektimin e protokolleve të sigurisë përkatëse.

Sa u përket datave, për në skenarin më optimist hapja e këtyre bizneseve të kategorisë së tretë përllogaritet fundi i muajit maj. Në skenarin mesatar vlerësohet muaji shtator, ndërsa në skenarin më të keq fillimi i vitit të ardhshëm, ndërsa rikthimi në normalitetin e para Covid-19 mund të kërkojë deri në 3 vite kohë.

E përbashkëta e të gjitha skenarëve dhe rihapjes së të gjitha kategorive të aktiviteteve ekonomike është se vendimet janë të kthyeshme. Kjo do të thotë se sipas strategjisë që po diskutohet nëse vërehet përkeqësim në përhapjen e koronavirusit, një kategori biznesi i rihapur mund të mbyllet sërish për një kohë të pacaktuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë