Sekretari i Përgjithshëm i PD paralajmëron denoncime të tjera me tenderat sekretë. Gazment Bardhi: Do të publikojmë fakte tronditëse për vjedhjen me tendera sekretë
Opozita thotë se do të denoncojë në ditët në vijim, sipas saj, vjedhjen e Qeverisë përmes tenderave të klasifikuara si sekret.
“Në ditët në vijim do të njiheni me fakte tronditëse, se si qeveria po e përdor këtë pandemi për të vjedhur shqiptarët. Nga njëra anë u thotë qytetarëve se nuk ka buxhet për të ndihmuar biznesin apo familjet në nevojë, ndërkohë që nga ana tjetër me procedura korruptive të prokurimeve publike është duke zhvatur buxhetin e shtetit edhe në këto momente të vështira për çdo qytetar shqiptar. “- tha zoti Bardhi”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi në një intervistë për Euronews.
Demokratët thonë se kërkesës së tyre për transparencë, Qeveria ka vendosur t’i përgjigjet që çdo tender publik të realizuar për pandeminë e koronavirusit ta klasifikojë si sekret shtetëror.
“Dhe të mos bëjë publik as të oferta, as të çmimet dhe as kontratat e lidhura. Do të këtë padi në SPAK për çdo parregullsi që ne kemi denoncuar. Dua të konfirmoj gjithashtu se denoncimet tona nuk kanë përfunduar”, vijoi Bardhi.
Arsyeja e fshehjes së tenderave, sipas PD është rritja artificiale e çmimeve për pajisjet e blera.
“Ministria e Shëndetësisë, e Mbrojtjes apo e Drejtësisë, nuk ka rëndësi, sepse kanë ndjekur të njëjtin proces përzgjedhje, paracaktojnë një kompani paraprakisht, rrisin artificialisht çmimet produkteve dhe më pas shpallin këtë kompani të paracaktuar fituese. Po marr një shembull. Kanë blerë rreth 200 mijë maska. E njëjta maskë që në farmaci shitet me 4 mijë lekë, është blerë nga qeveria me dyfishin e çmimit. Kjo është vjedhje”, theksoi Gazmend Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD thotë se në duart e opozitës dokumentacionet e tenderave janë dorëzuar nga punonjës të administratës.
“Në ministri apo institucione ka nëpunës që nuk i nënshtrohen vullnetit për të vjedhur qytetarët shqiptarë. Ka zyrtarë të përgjegjshëm që përcjellin tek opozita dokumentacionin e këtyre procedurave, të cilat qeveria, për të mbuluar vjedhjen i ka klasifikuar si sekrete. Ne jemi në krye të detyrës për të mbledhur informacionet e nevojshme dhe për të bërë transparencën e nevojshme, që u ka munguar qytetarëve”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje