Futboll

Kejn, Sanço, Kulibali e jo vetëm, Junajtid hap “thesin” për rilindjen

Mançester Junajtid ka një listë të gjatë lojtarësh, me të cilët do të mund të kthehej një ekip kompetitiv si më parë. “Djajtë e kuq”, të vendosur më shumë se kurrë për të ndezur merkaton e ardhshme, synojnë të afrojnë lojtarë si Herri Kejn, Xhek Grelish dhe Xhejms Medison nga Premier League, por edhe Sanço, Haverc dhe Kulibali nga jashtë Anglisë. Revolucioni i madh është gati.

Trajneri Ole Gunar Solskjaer mezi pret të ndërtojë skuadrën e re pas një sezoni zhgënjyes, të pezulluar për momentin nga emergjenca e koronavirusit. Junajtid është ende në garë në Europa League dhe “FA Cup”, por në Premier League ka hasur shumë vështirësi dhe qëndron në vend të 5-të. Mançester Junajtid nuk fiton titullin që prej vitit 2013 dhe sezonin e ri kërkon të kthehet protagonist absolut. Dhe për këtë i duhen lojtarë me kualitet.

Në krye të listës së merkatos është Herri Kejn, kapiteni 26-vjeçar i Totenhemit, i cili është rikthyer nga një dëmtim i gjatë. Asgjë konkrete ende për këtë pistë, por Uejn Runi pak kohë më parë tha se “Djajtë” duhet ta ndërtojnë skuadrën e re rreth numrit 9 dhe se Kejn është adapt për Junajtid. “Do të sugjeroja Kejn, sepse është një sulmues i kompletuar. Forca e tij është te goditja në 20 metrat e fundit. Do ta kisha ndërtuar skuadrën rreth tij”, – është shprehur Runi. Për sulmuesin anglez Mançesteri mund të shpenzojë një shifër rekord prej 200 milionë eurosh.

Por lista është e gjatë dhe nga kampionati anglez drejtuesit e Mançesterit kanë piketuar edhe mesfushorët Xhek Grelish, kapiten i Aston Vilës, si dhe Xhejms Medison të Leiçesterit, 23 vjeç dhe pjesëtar i kombëtares angleze. Sipas “Evening Standard”, çmimi i Grelish shkon në 70 milionë euro, kurse ai i Medison në 90 milionë euro. Për këtë të fundit është futur në garë edhe Evertoni i Karlo Ançelotit.

Sanço, një nga dëshirat e Mançester Junajitd. Gazeta Si, 21 prill 2020

Me Pol Pogba të destinuar për ta lënë Mançesterin, drejtuesit e klubit janë në detajet e fundit të marrëveshjes me Borusia Dortmund për të marrë në “Old Trafford” Sançon. “Sun” bën me dije se për këtë lojtar duhen rreth 130 milionë euro, pasi anglezi ka kontratë deri në 2022-shin me klubin gjerman. Nga lojtarët e Bundesligës pëlqehet edhe Kai Haverc, ylli i Bajer Leverkusen. Është 20 vjeç dhe ka magjepsur klubet më të mëdha të Europës, ndaj dhe Leverkuesen kërkon të paktën 100 milionë euro. Për mbrojtjen, Mançester Junajtid është fokusuar te Kalidu Kulibali, senegalezi i Napolit. Prej kohësh ai ndiqet nga skuadra të ndryshme, por deri tani askush nuk ka mundur të blejë. Ndoshta ka ardhur momenti që Kulibali të ndërrojë skuadër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë