Politike

PD: Kitet për testim po blihen 4 herë më shtrenjtë

Partia Demokratike akuzon Qeverinë për fryrje artificiale të vlerës me të cilën blen kitet për testimet e koronavirusit dhe për klasifikimin si sekret shtetëror të tenderave për blerjen e këtyre kiteve.

“Të dhënat e siguruara faktojnë se kitet për testimin e një personi vijnë në Shqipëri me çmimin e tregut 21 mijë lekë të vjetra, ndërsa Qeveria vetëm pak orë më vonë, i blen ato me 85 mijë lekë të vjetra. Nga 21 mijë lekë që e kanë çmimin maksimal në treg, qeveria blen 85 mijë lekë një kit testimi. Pra, tenderi sekret është përdorur për të blerë këto pajisje mjekësore me çmim 4 herë më të lartë. Të blesh 4 herë më shtrenjtë një testim, do të thotë 4 persona më pak të testuar”, deklaroi ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.

Cmimi i kiteve testuese Covid19 sipas PD dhe vlera me të cilën Qeveria ka blerë një kit me tender të shpallur sekret shtetëror. Gazeta Si, prill 2020

Opozita thotë se ky është krim i dyfishtë dhe kërkon publikimin e kontratave sekrete dhe anulimin e çmimeve të blerjes së kiteve.

“Ky është krim dhe kur krimin përpiqesh ta fshehësh me kontrata sekrete apo me mungesë transparence, ai bëhet edhe më i rëndë, sepse provon që është bërë me vetëdije për të vjedhur. Abuzime kaq të mëdha me taksat e shqiptarëve provojnë edhe një herë se Edi Rama ka para në buxhet, por këto para i ka për t’i vjedhur, i ka për t’i ndarë me klientët e tij të preferuar. Në vend që të sulmojë opozitën, Edi Rama duhet urgjentisht të bëjë 2 gjëra për të zhbërë vjedhjen; të publikojë kontratat sekrete dhe t’i anulojë çmimet e tyre skandaloze!

Thellohet skandali i vjedhjes me tenderat sekretë. Një testim blihet nga qeveria 4 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut.

Më herët, PD ka denoncuar tenderin për 200 mijë maska, që sipas opozitës janë blerë 2-3 herë më shumë se çmimi i tregut përmes një kontrate edhe ajo e mbajtur sekret. Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi tha se opozita do të publikojë në ditët në vijim skandalet me tenderat e klasifikuar si sekret shtetëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë