Futboll

Trashëgimi historike e Rios, Parlamenti shpëton ekipin e parë të Ronaldos

Djepi i “Fenomenit” do të qëndrojë në këmbë. Ishte e nevojshme ndërhyrja e qeverisë karioka në Brazil, që klubi modest Sao Cristovao, ku Ronaldo Luis Nazario de Lima hodhi hapat e parë, të mos i mbyllë dyert. Ka rrezikuar shumë në 10 vitet e fundit, për shkak të borxheve të akumuluara, por do të mbijetojë.

Vendimtar për shpëtimin e këtij klubi është një ligj i parovuar orët e fundit nga Parlamenti karioka, që e ka dekretuar rezidencën e Sao Cristovaos “trashëgimi historike, sociale, kulturore dhe sportive të Rio De Zhaneiros”. Ndërtesa që ndodhet përgjatë Rua Figueira de Melo, mjaft e dukshme në rrugën që lidh aeroportin “Galeao” me qendrën e Rios, nuk do të shembet për t’u lënë vendin godinave të reja.

Ish-futbollisti i madh brazilian, Ronaldo. Gazeta Si, 22 prill 2020

I themeluar në vitin 1898 dhe i kufizuar në kategoritë inferiore në vitet ’30 të shekullit të kaluar, pas triumfit në kampionatin karioka të 1926-ës (i vetmi në më shumë se 100 vjet histori), sot Sao Cristovao bën pjesë në Serinë C karioca. Në mëyrë konstante “shtëpia” e parë e Ronaldos ka rrezikuar falimentimin, por ka vazhduar falë donacioneve dhe dhënies me qira të strukturave të saj. Por tani e tutje nuk duhet të ketë më frikë.

Parlamenti karioka e ka të qartë vlerën historike të klubit, ndaj dhe deputeti Karlos Kaiado kërkoi ligjin e veçantë. “Sao Cristovao ka një vlerë historike të jashtëzakonshme dhe të rëndësishme për qytetin e Rios. Askush nuk duhet ta vërë në diskutim ekzistencën e tij”, – ka pohuar Kaiado pas aprovimit në parlament. Strukturat e klubit mund të kenë edhe lehtësira fiskale dhe mund të përfitojnë projekte nga financimet publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë