Marçelo Lipi, trajneri i njohur italian, mezi po pret t’i kthehet jetës normale, si të gjithë. “Pas dy muajsh në shtëpi, të gjithëve po na humbet durimi pak nga pak”, – thotë ai. Më pas vjen futbolli: “Sipas meje, duhet bërë gjithçka për mbylljen e sezonit, edhe me sakrifica, si për shembull, të luhet edhe në gusht dhe me dyer të mbyllura. Ndoshta edhe për të vazhduar në shtator, për ta nisur sezonin e ri sipas vitit kalendarik. Nuk jam dakord me “play-off”-in apo për dhënien e titullit ekipit që është në krye aktualisht”, – vazhdon ish-trajneri i Juventusit dhe Italisë.
Trajneri toskan flet pastaj për Serinë A: “Juventusi mbetet favoriti kryesor për titullin, siç ishte që në fillim. Edhe pse Lacio po bën gjëra të jashtëzakonshme dhe ndoshta ka mesfushën më të mirë të kampionatit, ku më pëlqen veçanërisht Luis Alberto, Juve mbetet favorite. Edhe Imobile më pëlqen, ka qenë fantastik. Interi? E ka ulur pak ritmin, por është ende në garë. Atalanta është një skuadër shumë e bukur dhe shumë italianë bëjnë tifo për të. Bravo edhe Gatuzos, që e ka marrë Napolin në një situatë shumë të vështirë”.

Lipi ka dhënë në fund edhe një mendim për kombëtaren italiane dhe trajnerin Roberto Mançini: “Më pëlqen mënyra si luan Italia dhe jam shumë optimist për Europianin. Duke grumbulluar lojtarë si Kastrovili, Barela, Tonali apo të tjerë ende pa debutuar me skuadrat e tyre, trajneri Mançini ka dhënë një mesazh të fortë: aktivizoni të rinjtë! Ai po bën një punë shumë të mirë me Italinë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje