Futboll

E pranon edhe sheiku i PSG: Rrezikojmë shumë me pagat e larta

Edhe një klub shumë i pasur dhe potent, si Paris Seint Zhermen, rrezikon shumë në një situatë si kjo që ka krijuar koronavirusi. Presidenti i këtij klubi, sheiku Naser Al-Khelaifi, lëshon alarmin në këtë moment delikat: “Nuk ka asnjë sekret, dihet botërisht që pagesat e futbollistëve janë të larta. Shpresoj që ata të bëjnë një sforco për të ndihmuar klubet e tyre, sepse kjo krizë mund të provokojë një impakt të dukshëm në kasat tona”, – ka thënë Al-Khelaifi.

Presidenti i PSG-së, një nga më të pasurit në botën e futbollit, është shumë i shqetësuar për atë çfarë po ndodh aktualisht me klubet, ndaj dhe ka një apel: “Duhet të jemi të bashkuar dhe jo egoistë për të dalë nga kjo krizë. Nuk ekzistojnë klubet e mëdha dhe klube të vogla në këtë moment. Duhet të dalim më të fortë se më parë nga kjo situatë”, – është shprehur ai.

“E dimë të gjithë se çfarë është në lojë, mbijetesa e disa klubeve të Ligue 1 dhe Ligue 2. Nëse ka një moment që duhet të punojmë të gjithë bashkë, është pikërisht ky. Për përfundimin e sezonit e kam thënë që në fillim: të veprojmë sipas udhëzimeve që japin qeveria dhe UEFA”, – thekson në fund kreu i klubit të njohur francez. Dhe kur e ngre zërin ai në lidhje me pagat e larta të lojtarëve, imagjinoni të tjerët…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë